Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se konsumi final i popullatës në tremujorin e dytë që përbën rreth 70 % të PBB-së në vend, u rrit me 8.95%. “Sigurisht që konsumi i popullatës është reflektim i politikave që qeveria ka ndjekur në tremujorin e dytë. Ne vendosëm të subvencionojmë të gjitha kategoritë e rrezikuara nga norma e rritjes së çmimeve me diferencën e rritjes së çmimeve, me qëllim që konsumi të mbahej në nivele të larta”, shpjegoi ministrja. Ndryshe nga konsumi i popullatës, konsumi i administratës publike rezultoi me rënie. Ministrja Ibrahimaj tha se ky tregues reflektoi politikat e qeverisë, e cila vendosi të shkurtojë ato shpenzime që nuk ishin prioritare dhe që mund të spostoheshin për vitin e ardhshëm. Ndërkohë, ministrja theksoi se investimet në tremujorin e dytë të vitit shënuan rënie me 6.69 %, duke reflektuar ngadalësimin e sektorit të ndërtimi. Sipas saj, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9%, ndërsa importet e kësaj kategorie me 17.6 %. Ibrahimaj bëri të ditur se Investimet e huaja në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti ishin 634 milionë euro, me rritje prej 8 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Për sa i përket investimeve është e rëndësishme të shikojmë normat e kreditimit që na japin një informacion mbi nivelin e investimeve dhe zhvillimit ekonomik për periudhën në vijim. Përgjatë vitit 2022 ne shikojmë normë rritje të kreditimit në nivel dyshifror. Në muajin gusht arriti në nivelin 12.6 %. Ndërsa depozitat u rritën me 7.5%”, tha Ibrahimaj. Ministrja u ndal dhe te statistikat e tregut të punës, për të cilat tha se flasin për një stabilitet dhe ecuri pozitive të ekonomisë. “Norma e papunësisë në tremujorin e dytë të vitit shënoi 11.1 %, duke u ulur si në krahasim me një vit më parë, dhe në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti dhe është nën nivelin e 2019-ës, si vit para krize”, tha ajo. Ibrahimaj theksoi më tej se statistikat e shkallës së papunësisë janë të shoqëruara me rritje të punësimit dhe pagës mesatare. “Për tremujorin e 2, paga mesatare arriti 60 666 lekë, duke u rritur me 7%. Ne presim që paga mesatare të vijojë të jetë me rritje edhe për pjesën tjetër të vitit, e ndikuar si nga rritja e pagës minimale, ashtu edhe nga vendimmarrja e qeverisë për rritjen e pagave në administratë, e cila pritet të ketë efekt edhe në sektorin privat”, u shpreh ajo.http://ata.gov.al/2022/10/03/paketa-e-rezistences-sociale-ibrahimaj-konsumi-i-popullates-u-rrit-me-gati-9/
Ibrahimaj: Konsumi i popullatës u rrit me gati 9 %
RELATED ARTICLES