Sunday, November 17, 2024
HomeSOCIALETakim në COD për përkthimin e Biblës nga origjinali në shqip

Takim në COD për përkthimin e Biblës nga origjinali në shqip

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, Qendra për Hapje dhe Dialog, COD, zhvilloi në bibliotekën e Kryeministrisë një takim për përkthimin e Biblës nga origjinali në shqip. Përkthimi që u prezantua në COD është botuar nga Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë, pas një punë rreth 20-vjeçare nga një grup përkthyesish. Pjesë e panelit ishin Altin Hysi, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë, Dom Marjan Paloka, meshtar i Kishës Katolike, Zefjan Nikolla, pastor, dhe Bruna Ndoci, koordinatore e projektit. Takimi pati një interes të lartë nga përkthyes, gazetarë, shkrimtarë, studiues, profesorë e studentë të cilët drejtuan pyetje mbi përkthimin, procedurën e ndjekur, mënyrën e bashkëpunimit, vështirësitë dhe çështje të tjera që lidhen me një vepër kaq angazhuese. 30 shtatori është përzgjedhur nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Përkthimit, sepse 30 shtatori është festa e Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës, i cili konsiderohet edhe si shenjtori mbrojtës i përkthyesve. Shën Jeronimi ishte një prift nga Italia Verilindore, i cili njihet kryesisht për përpjekjet e tij për të përkthyer pjesën më të madhe të Biblës në latinisht nga dorëshkrimet greke të Dhiatës së Re. Ai gjithashtu përktheu pjesë të Ungjillit Hebraik në greqisht. Sipas studimeve, ai ishte me prejardhje ilire dhe gjuha e tij amtare ishte dialekti ilir. Ai mësoi latinishten në shkollë dhe fliste rrjedhshëm greqishten dhe hebraishten, të cilat i mori nga studimet dhe udhëtimet. Ai vdiq pranë Betlehemit, më 30 shtator 420.http://ata.gov.al/2022/09/30/takim-ne-cod-per-perkthimin-e-bibles-nga-origjinali-ne-shqip/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments