Në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, mikpriti një grup nxënësish dhe mësuesish të gjimnazeve të Tiranës: “Ismail Qemali”, “Petro Nini Luarasi”, “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa” dhe “Partizani”. Aktiviteti kishte për qëllim njohjen e fushës së qasjes në informacionin publik që administrojnë institucionet dhe kultivimin e kulturës së ndërgjegjësimit të ushtrimit në praktikë të të drejtës së informimit. Komisioneri Besnik Dervishi, në përshëndetjen e tij theksoi se ky aktivitet është shprehje e dëshirës dhe prirjes për një brez të ri të informuar dhe edukuar për ushtrimin e të drejtave në praktikë. “E drejta e informimit është e rëndësishme në radhë të parë për ne si qytetarë, që të njihemi me të gjithë veprimtarinë e institucioneve shtetërore. Çdo gjë që është zyrtare, pikërisht se është zyrtare, duhet të njihet nga publiku. Është pikërisht kjo kultura që duhet të na dominojë. Është kultura që duhet të kultivojnë qytetarët, për ta përdorur këtë të drejtë si një instrument për të kërkuar llogari nga autoritetet publike, ashtu si edhe mjet të ushtrimit të presionit pozitiv për forcimin e këtij raporti”, vlerësoi ai. Takimi shërbeu si një vizitë informuese në mjediset e Zyrës së Komisionerit për t’u njohur me konceptet bazë të së drejtës për informim. Të rinjtë u njohën me funksionet dhe veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit, rolin e saj në funksion të garantimit të ushtrimit të të drejtës për të patur akses në informacionin publik, ashtu si dhe me përmbushjen e detyrimeve të kuadrit rregullator nga autoritetet publike. Në fokus ishte trajtimi i çështjeve apo problematikave të konstatuara në sektorin e arsimit, puna për forcimin e transparencës proaktive nëpërmjet përditësimit periodik të Programit të Transparencës, si dhe njohuri për rolin e koordinatorit për të drejtën e informimit. Takimi shërbeu edhe si një mundësi për zgjerimin e njohurive edhe për fushën tjetër të përgjegjësisë së Zyrës së Komisionerit, mbrojtjen e të dhënave personale, ku të rinjtë morën këshilla praktike, sidomos të qasjes në rrjetet sociale. Garantimi i të drejtës për informim, si një nga të drejtat dhe liritë themelore të qytetarit e sanksionuar në Kushtetutë, është tregues konkret për nivelin e zhvillimit të një shoqërie demokratike. Nga ana tjetër, transparenca proaktive, përgjegjshmëria dhe integriteti i autoriteteve publike janë elemente të rëndësishme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në luftën kundër korrupsionit.https://ata.gov.al/2022/09/28/dita-e-te-drejtes-per-informim-forcim-i-ndergjegjesimit-tek-te-rinjte/