Kryeministri Edi Rama foli sot gjatë një takimi në Durrës edhe për aksionin e qeverisë për ndërtimet pa leje. Rama siguroi se asnjë metër nuk do ta gëzojnë dot ata që e kanë ndërtuar për qëllim fitimi. “Akoma kemi probleme me ndërtimet, kemi më pak ndërtime pa leje se ç’kishim, nuk diskutohet, por kemi akoma dhe kemi shumë ndërtime me leje që respektojnë lejen në volume, por jo gjithmonë dhe në të shumtën e rasteve, nuk e respektojnë në aspektin e arkitekturës, cilësisë e kështu me radhë. Pa i përmbushur këto të dyja, pa mbyllur përfundimisht historinë e ndërtimeve pa leje dhe ngacmimin e territorit jashtë lejeve dhe jashtë planeve dhe pa rritur cilësinë e ndërtimeve që janë të destinuara për turizëm, të gjitha ato për turizëm, lëmë mangët një komponent shumë të rëndësishëm”, tha Rama. Kryeministri informoi se do të qeveria do të shtrëngojë akoma më shumë politikën për ndërtimet pa leje apo shkeljeve të ndërtimit. “Ajo që kemi nisur është shumë serioze dhe nuk do të ndalet dhe askush nuk ka për ta gëzuar dot 1 metër katror tepër që ka ndërtuar jashtë lejes dhe do ta zgjedhin vetë se çfarë do të bëjnë, do t’i dhurojnë, do t’i blejnë me çmimin e tregut plus të indeksuar, se gjobën nuk diskutohet në të gjitha rastet do ta paguajnë apo do t’u konfiskohen fare”, tha Rama. Kryeministri u ndal edhe në aspektin penal të aksionit për ndërtimet pa leje dhe siguroi se Qeveria nuk amniston askënd. “Ndërkohë që, duhet ta sqaroj për aspektet penale të çështjes, ato janë punët e tyre me drejtësinë, nuk janë punët e qeverisë. Qeveria nuk amniston askënd, por ama ne kemi nxjerrë një mësim shumë të rëndësishëm dhe jemi ndjerë më shumë sesa një herë të turpëruar, jo për fajin tonë, por për fajin e llumit që vazhdon akoma gëlon në sistemin e drejtësisë, i cili po reformohet, por siç e kam thënë qysh në krye të herës do kërkojë vitet e veta dhe llumi në drejtësi bashkë me llumin në Policinë e Shtetit dhe bashkë me llumin nëpër inspektorate nuk diskutohet, e ka shumë të lehtë të çojë me ndihmën e prokurorëve të zellshëm, që kur vjen puna te ndërtuesit e mëdhenj e mbyllin me para çështjen. Njerëz që kanë ndërtuar pa leje një gardh, një mur po themi, një gjysmë shtese në fshat dhe raste flagrante janë bërë dhe publike. Një kotec, një mur mbajtës, një avlli, dritaret e famshme të Bojken Lakos që me të nxjerrë dhe bojën botërisht, po jo vetëm ty si individ, po gjithë shtetin dhe e kanë të pamundur që të veprojë ndaj kateve pa leje në mes të Tiranës të cilat janë shumë më pak se çfarë kanë qenë. Raporti është më shumë sesa 1 me 10. Kur ne kemi nisur këtë betejë, nuk ka pasur pallat në Tiranë dhe për këtë po ju them me garanci, nuk ka pasur pallat në Tiranë që nuk ka pasur ndonjë metër pa leje dhe arsyeja pse me mijëra e mijëra familje mbetën me vite e vite të tëra e ka akoma e sot disa pa hipotekë, se i ndërtonin ndërtuesit, i shisnin dhe iknin. Sot nuk kemi më nga ato, por kemi përsëri akoma dhe mësimi që ne kemi nxjerrë është që këta me prokurorët e korruptuar që akoma s’kanë kaluar në sitën e vetingut dhe e kanë ndarë mendjen që “do kapin ça të kapin”, deri kur t’ju vijë dita që të kapen, e zgjidhin siç e zgjidhin dhe ata që nga një anë tatimet i çojnë në prokurori për evazion, nga ana tjetër dalin pa lagur dhe dokumentet me të cilat duhet të kapi shkelësit, Prokuroria ja jep partive që dalin dhe bëjnë çorap miletin, jo po TVSH-ja këtu, jo po kjo aty, jo po i korruptuari, qeveria gjithmonë. Kjo është zgjidhja që ne kemi gjetur dhe jam i bindur që është një zgjidhje përfundimtare. Asnjë metër nuk do ta gëzojnë dot ata që e kanë ndërtuar për qëllim fitimi, qoftë për ta shitur, qoftë për hotele”, deklaroi Kryeministri. Rama tha se ka filluar dhe kontrolli përgjatë bregdetit. “Do t’i blejnë me çmimin e tregut, me indeksim të gjitha metrat ose do të dorëzojnë të gjithë godinën. Kështu do të ndodhë në mënyrë që ky pësim të bëhet mësim, sepse flasim shumë për atdheun, flasim shumë për patriotizmin, flasim shumë për ndershmërinë e të tjerat, por këto janë rrugët sesi secili e tregon patriotizmin e vetë. Në qoftë se ti ndërton një hotel dhe je patriot, ti nuk merr tokën e shtetit apo tokën e tjetrit për ta futur te prona jote”, deklaroi Rama.https://ata.gov.al/2022/09/27/rama-per-ndertimet-pa-leje-qeveria-nuk-amniston-askend/