Gjermania është gati të pranojë dezertorët rusë që kundërshtojnë Putinin. Sinjali u dha nga ministrat pas raporteve se njerëzit po largohen nga mobilizimi i pjesshëm i urdhëruar nga Putin. “Dezertorët e kërcënuar me represion serioz, si rregull, mund të marrin mbrojtje ndërkombëtare në Gjermani. Kushdo që kundërshton me guxim regjimin e Putinit dhe në këtë mënyrë bie në rrezik të madh, mund të kërkojë azil për shkak të persekutimit politik”, tha Ministrja e Brendshme Nancy Faeser. Edhe Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann shkroi në Twitter “kushdo që urren rrugën e Putinit dhe e do demokracinë liberale është i mirëpritur në Gjermani”. Gjermania ka pranuar rreth një milion ukrainas që ikin nga pushtimi i Rusisë, por gjithashtu ka mirëpritur disidentët rusë. Ministrja e Brendshme tha se 438 disidentë rusë kanë përfituar nga një proces i përshpejtuar për të marrë mbrojtje në Gjermani. Megjithatë, ajo vuri në dukje se azili politik nuk jepet automatikisht, pasi aplikantët fillimisht do t’i nënshtroheshin kontrolleve të sigurisë.https://lajme.rtsh.al/artikull/gjermania-e-gatshme-te-pranoje-dezertoret-ruse-kush-kundershton-putinin-i-mirepritur-te-vije-te-ne