Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar të enjten paradite stërvitjen e fundit para udhëtimit në Belfast, ku do të përballet me Irlandën e Veriut në kuadër të grupit të saj të Ligës së Kombeve. Në stërvitjen e mbajtur në kampin nacional në Hajvali, trajneri Alen Zhires nuk i ka ngarkuar shumë futbollistët. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se trajneri francez është përqendruar kryesisht në aspektin taktik dhe rreshtimin e ekipit përballë Irlandës së Veriut. Dueli midis Irlandës së Veriut dhe Kosovës do të zhvillohet të shtunën, duke nisur nga ora 18:00 dhe është i vlefshëm për Grupin D të Ligës C të Ligës së Kombeve të Evropës. Të premten në mëngjes, përfaqësuesja e Kosovës udhëton për në Belfast, atje ku do ta zhvillojë në mbrëmjen stërvitjen e fundit, para ndeshjes që e luan një ditë më vonë. Në njoftimin e organizmit që qeveris futbollin në Kosovë thuhet se të gjithë futbollistët janë në formë të mirë dhe të gatshëm për të dhënë më të mirën për këtë përballje. E për duelin me Irlandën e Veriut, ka folur edhe mbrojtësi Betim Fazliji, i cili ka theksuar: “Duam të shkojmë në Belfast me synimin për të dhënë maksimumin. Secili prej nesh është i motivuar për fitore në Irlandën e Veriut. Kundërshtari është i fortë. Është një ekip me fizik të lartë dhe me tempo të shpejtë, pasi luajnë futboll të stilit anglez, por ne jemi përgatitur mirë për këtë lojë dhe i kemi bërë zgjidhjet e duhura se s’i t’i kundërvihemi. Ne shkojmë atje me vetëbesim të lartë dhe duam t’i marrim tri pikë tjera ndaj tyre, ashtu siç i kemi marrë para tifozëve tanë”, – tha ai. Ndërkohë, mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu që është ftuar për herë të parë te Kosova, ka shtuar se ndihet krenar që i është dhënë mundësia për të qenë pjesë e “Dardanëve”https://sport.rtsh.al/artikull/kosova-gati-per-sfiden-me-irlanden-e-veriut