Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREJava e kulturës egjiptiane

Java e kulturës egjiptiane

Në Tiranë ka nisur java e Kulturës Egjiptiane, një javë me plot aktivitete, që çelin siparin mbrëmjen e sotme me koncertin gala të Orkestrës së Operës së Kajros dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, me pjesëmarrjen e sopranos së mirënjohur egjiptiane, Amira Selim. Për këtë qëllim, në Tiranë ndodhet edhe ministrja egjiptiane e Kulturës, Nevien Elkilany, e cila u prit në një takim nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Në fund të takimit, Veliaj nënvizoi faktin se marrëdhëniet mes dy vendeve tona po njohin një kapitull të ri, që përforcohen edhe më tepër me aktivitetet e përbashkëta kulturore. “Është shumë kënaqësi që jeni në Tiranë! Ne jemi rritur që të vegjël me historitë nga Misiri dhe se si lëvizja jonë kombëtare, lëvizja jonë për pavarësi, rilindësit tanë, kanë pasur një bazë të diasporës në Kajro, në Aleksandri. Ne kemi një tërheqje ndaj kulturës së jashtëzakonshme të Egjiptit, por edhe për faktin se një pjesë e historisë sonë është e lidhur me vendin tuaj. Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që pas vizitës së kryeministrit Rama, takimit me presidentin El-Sisi në Egjipt, ju jeni zyrtarja e parë që vini këtu dhe kështu shenjojmë një fillim të ri të raporteve tona,” u shpreh Veliaj. Kreu i Bashkisë nënvizoi se koncerti i Orkestrës së Operas mbrëmjen e sotme dhe ai folklorik në Sheshin Skënderbej mbrëmjen e së dielës, janë vetëm dy kulmet e një jave të mbushur me art dhe kulturë egjiptiane në Tiranë. “Jam shumë i lumtur që do të kemi një bashkëpunim mes dy orkestrave tona, të Shqipërisë dhe Egjiptit në Opera dhe mezi pres që qytetarët të na bashkohen në këto aktivitete. Do të kemi disa evente të ndryshme, për këtë raport special mes Shqipërisë dhe Egjiptit. Mezi pres që të dielën, në datën 25 shtator, në sheshin “Skënderbej”, të kemi një koncert të jashtëzakonshëm folklorik të Egjiptit,” tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Veliaj e vuri theksin edhe në rritjen e marrëdhënieve në fusha të tjera, ku veçoi ndërveprimin mes të rinjve të të dy vendeve, por edhe bashkëpunimin ekonomik, që ai e vlerësoi të shkëlqyer. Veliaj i dhuroi ministres Nevien Elkilany Kullën e Sahatit të Tiranës.https://lajme.rtsh.al/artikull/java-e-kultures-egjiptiane-ne-tirane-veliaj-takon-ministren-e-kultures-se-egjiptit-nevien-elkilany

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments