Këtë të diel (18 shtator) është dita e fundit e homazheve për Mbretëreshën Elisabeth II, e cila do të përcillet për në banesën e fundit më 19 shtator. Me mijëra qytetarë janë në radhë në Westminster Hall ku ndodhet arkmorti për t’i dhënë lamtumirën Mbretëreshës së tyre. Qytetarët do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e tyre Mbretëreshës deri në orët e para të mëngjesit të së hënës. Mbi 500 lider botërorë, mes të cilëve presidenti i SHBA-së Joe Binden, kryeministri kanadez Justin Trudo, presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro, princi i kurorës Mohammed bin Salman, kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj etj. kanë mbërritur në Londër. Edhe familjet mbretërore në botë kanë mbërritur në Londër, ku të pranishëm në ceremoninë e varrimit do të jenë Perandori i Japonisë Naruhito dhe perandoresha Masako, Mbreti holandez Willem-Alexander, Mbretëresha Maksima dhe Princesha e Kurorës Beatrix, Philippe Mbreti i Belgëve, Mbreti Harald V i Norvegjisë dhe Princi Albert II i Monakos, Mbretëresha e Danimarkës Margrethe si dhe Mbreti i Spanjës Felipe VI do të jetë gjithashtu me gruan e tij Letizia. Për shkak të marrëdhënieve të tensionuara, Mbretëria e Bashkuar vendosi të ftojë ambasadorë, jo krerët e shteteve, nga Irani, Nikaragua dhe Koreja e Veriut. Ndërkohë, Rusia dhe Bjellorusia janë mes një grupi të vogël kombesh të përjashtuara krejtësisht pas pushtimit të Ukrainës nga Putin . Vende të tjera pa ftesa janë Afganistani i sunduar nga Talibanët, Mianmari, me të cilët marrëdhëniet me Britaninë e Madhe janë përkeqësuar që nga grushti i shtetit të vitit të kaluar si dhe Siria e Venezuela. Ceremonia e varrimit pritet të mbahet nën kushte të rrepta sigurie. Funerali zyrtar do të nisë më 19 shtator në orën 11 të paradites dhe do të pasojë më pas në orën 11.55 në mbajtjen e dy minutave heshtje.