U mbajt në Prishtinë tryeza shkencore “Rishfrytëzueshmëria e brezave të rinj frekuencorë UHF, VHF dhe valëve milimetrike për rrjete të komunikimeve pa tela”. Veprimtaria u zhvillua nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, nën përkujdesjen e Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Projekti është realizuar në bashkëpunim me fakultetin e Inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetin Politeknik të Torinos. Në këtë event u paraqitën dhjetë kumtesa. Myzafere Limani paraqiti në mënyrë të detajuar rezultatet kryesore që janë të rëndësishme për mundësinë e rishfrytëzimin e brezave frekuencorë, të publikuara në revista të rëndësishme dhe konferenca ndërkombëtare. Akad. Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, prezantoi strukturat shtetërore që punojnë për telekomunikacionet, legjislacionin përkatës dhe paraqiti informacione për radiofrekuencat në Republikën e Shqipërisë: AKEP dhe AMA. Akad. Frashëri paraqiti dhe monitorimet e përdorimit të radiofrekuencave: AKCESK (Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike), dhe pikat kryesore të legjislacionit dhe rregulloret për komunikimet elektronike, mediet audiovizive në Republikën e Shqipërisë, për sigurinë kibernetike, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, dokumentin elektronik, planin e përdorimit të frekuencave, miratuar vendimin e Këshillit Drejtues dhe plani i përditësuar me ndryshimet më të fundit të ECA, ndarjen e brezave të frekuencave, monitorimin e spektrit të frekuencave dhe masat administrative, etj. Gjatë tryezës u zhvilluan diskutime të frytshme për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe të ndërlidhjes me hulumtimet shkencore dhe aktivitetet e kompanive që operojnë në fushën e telekomunikimeve dhe autoriteteve rregullative.