Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka bërë propozime konkrete pranë Këshillit të Ministrave me synim rikrijimin e një rrjeti elitar institutesh pranë Akademisë së Shkencave, të cilët konceptohen si institute a qendra të themeluara së bashku me IAL, me drejtim shkencor të përbashkët. Roli i tyre do të jetë drejtimi e koordinimi i kërkimit me strukturat homologe, në shkollat e larta, e jo shkëputja prej tyre. “Kjo pjesë e rëndësishme e reformës ka pasur mbështetjen në parim të Këshillit të Ministrave, por ende sot është e pakurorëzuar nën ndikimin e atyre që janë akoma peng të masakrës shkencore të 2007-s”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi në Kongresin për Arsimin. Kryetari i Akademisë së Shkencave theksoi nevojën e reformimit të vazhdueshëm të sistemit tonë shkencor e arsimor paralelisht, duke kuptuar e pranuar se kjo reformë, duhet të jetë reforma më e rëndësishme se ajo në drejtësi, si reforma që kushton më pak e shpërblen më shumë si në planin afatshkurtër ashtu dhe në atë afatgjatë. Ai theksoi se, reformimi i arsimit e shkencës duhet të jenë reforma prioritare e çdo qeverie. Sipas tij përparësia dhe rëndësia e reformave nuk duhet të ndikohet nga politika e ditës e presionet e momentit, por nga efektiviteti e ndikimi i tyre në shoqëri e ekonomi. Për këto arsye u ndërmor edhe reforma e vitit 2015, por faktikisht ajo u përqendrua vetëm në arsimin e lartë e kërkimin shkencor, brenda tij, ndërsa komponentja për shkencën në tërësi mbeti vetëm në evidentim të problemeve e paraqitjen e disa alternativave në letër. Gjinushi ka vënë theksin tek rritja e nivelit të kërkimit në shkollat e larta, e cila ka të domosdoshëm bashkëpunimin e tyre me institucionet shkencore jashtë sistemit arsimor, numri e kapaciteti i të cilave tek ne aktualisht është i papërfillshëm. “Nevoja e bashkëpunimit të institucioneve shkencore me ato arsimore nuk nënkupton zëvendësim të njëri- tjetrit. Çdo organizëm e strukturë që mbështetet në dy këmbë a shtylla, nuk zgjedh kurrë të këpusë njërën për të shëndoshur tjetrën, në çdo rast një sistem i tillë çalon. Këtë duhet të korrigjojë së pari ligji i ri e zbatimi i tij”, u shpreh akademik Gjinushi. Propozimet e ASHSH çojnë në rritjen e kapaciteteve intelektuale, laboratorike e logjistike në kërkim, pra rritja e investimeve për kërkimin shkencor pasi Shqipëria ka indeksin më të ulët në Evropë për investimet në shkencë. Me krijimin e instituteve e qendrave kërkimore të mirëfillta, matet më mirë investimi në shkencë, ashtu si dhe efektiviteti i përdorimit të këtyre investimeve. Për dy ditë rresht kongresi do të bashkojë në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor, agjencitë, partnerët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përfaqësues të shoqërisë civile dhe donatorët e projekteve në fushën e arsimit.http://ata.gov.al/2022/09/12/gjinushi-reformimi-i-arsimit-e-shkences-reforma-prioritare-e-cdo-qeverie/
Reformimi i arsimit e shkencës
RELATED ARTICLES