Imazhi i ribashkimit të dy djemve të tij, trashëgimtarit të ri të fronit, William dhe rebelit Harry ”vodhi” më shumë vëmendjen e medias se sa shpallja zyrtare e mbretit Charles III. Shumë gazeta britanike i kushtuan më shumë rëndësi atyre dhe bashkëshorteve respektive, Kate dhe Meghan, në kështjellën Windsor, në një akt të përbashkët homazhesh për kujtimin e mbretëreshës së ndjerë, Elizabeth II. ”Të mbledhur në dhimbje”, titullohej shkrimi i ”Sunday Telegraph” duke i dhënë kuptim këtij gjesti. ”Një gjest dhe mbi të gjitha fryt i kërkesës së ngutshme të Charles III”, shkruan ”Sunday Times”. ”Dy vëllezërit, dikur të pandarë dhe të lindur nga martesa problematike mes sovranit aktual dhe Dianës së ndjerë, dhanë shembullin e tejkalimit të mosmarrëveshjeve prej muajsh të tërë”, shton gazeta. Fotot e dy vëllezërve, ndërkohë që ”The Guardian” në vend të kësaj preferon të vendosë një foto të mbretit të ri në plan të parë dhe angazhimin e tij për të marrë përgjegjësitë serioze të sovranit, të riafirmuar në ceremoninë zyrtare të shpalljes së djeshme, dominuan edhe faqet e para të tabloideve. ”Të mbledhur për gjyshen”, është titulli i ”The Mirror”, i imituar nga ”The Express”, sipas interpretimit të të cilave ishte djali i madh, princi i ri i Uellsit, William, ai që i kishte ofruar vëllait më të vogël degën e ullirit. Duka i Sussexit u transferua përgjithmonë në SHBA me Meghan dhe me dy fëmijët, pasi u shkëput nga familja mbretërore në fillim të vitit 2020, çka u shoqërua me polemika të mëdha. Së fundmi, ”The Sun” i Rupert Murdoch, i cili kishte vënë bast gjithçka mbi narrativën e një Harry të poshtëruar nga pjesa tjetër e Windsors, edhe në këtë rast kufizohet në një lojë fjalësh të titulluar “All 4 one” (“Të gjithë për një”) duke iu referuar homazhit të përbashkët të të katërtve (William, Harry, Kate dhe Meghan) për mbretëreshën. ”Kjo përbën një shfaqje unike të mbretërve në luftë”, shpjegon ”The Sun” këtë lojë fjalësh.http://ata.gov.al/2022/09/11/koment-me-shume-vemendje-per-princat-william-dhe-harry-se-sa-per-mbretin-charles-iii/