Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAKrijimi i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës

Krijimi i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës

Krijimi i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, po vlerësohet tejet i domosdoshëm. I njëjti duhet krijuar pa vonesa, pasi mos evidentimi dhe publikimi i krimeve serbe është një gabim i madh që prej vitesh e ka bërë Kosova, vlerësojnë hulumtues dhe ish-drejtues të Institutit i cili u mbyllë në vitin 2018. Të shumta e të llahtarshme ishin krimet që shteti i Serbisë i kreu gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndonëse ishin me mijëra vrasje e masakrime të civilëve të pafajshëm, e dëme materiale të pallogaritshme, zyrtarisht, që nga çlirimi në qershorin e vitit 1999, institucionet kanë bërë pak për dokumentimin e tyre. Një institut për hulumtimin e krimeve të luftës ishte themeluar në vitin 2011, por u mbyll në vitin 2018, nga Ministria e Drejtësisë. Qeveria aktuale tani po punon për rithemelimin e një instituti të tillë. Ish-drejtori i institutit të mbyllur, profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, thotë për Radio Kosovën se rikrijimi i institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës, është tejet i nevojshëm. “Krijimi i institutit është domosdoshmëri pasi janë kryer krime të shumta. Nëse këto nuk mblidhen, nuk evidentohen e publikohen kjo do të jetë një gabim i madh i kësaj gjenerate dhe pushtetarëve, pasi koha do të bëjë të veten dhe krimet gradualisht do të harrohen. Nëse kjo nuk bëhet, siç edhe thotë një profesor nga Sarajeva, do të kryhej një krim i dyfishtë ndaj viktimave; rreth 1 mijë e 500 fëmijëve të vrarë e mbi 12 mijë civilëve dhe dëmet miliardësh”, tha ai. Edhe studiuesi Abit Hoxha, thotë se instituti duhet krijuar pa vonesa. “Në Kosovë është humorizuar kjo puna e Institutit të Krime të Luftës, që është një tragjedi e llojit të vet, sepse e kemi krijuar një Institut për Hetimin e Krimeve të Luftës nja pesë herë. Kjo e tregon seriozitetin e të gjithë qeverive të Kosovës pas luftës. Asnjë nga këto qeveri nuk e ka pas seriozisht punën e hetimeve dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Në Kosovë familjarët janë iniciativa më e mirë, fatkeqësisht, për dokumentimin e krimeve të luftës”, tha ai. Ndërkohë, profesor Salihu, teksa përmend rastin e Institutit për Krimet e Luftës që kishte krijuar Bosnjë Hercegovina, thotë se hulumtimet e institutit kosovar do të mund përdoreshin si prova nga organet ndjekjes, e madje do të mund të shërbenin edhe për parapërgatitjen e padisë eventuale për gjenocid që Kosova mund t’i bëjë në të ardhmen Serbisë. “Sigurisht se po, Kosova mund të ngre padi, mirëpo pasi të bëjë hulumtime së paku 3-4 vjet, në mënyrë që të dokumentojë pretendimet me prova, pasi gjykata gjykon në bazë të provave të pakontestueshme, kështu që kjo është një parakusht” tha ai.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=616648

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments