Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria synon që brenda vitit 2023 të ulë në 30 ditë afatin për rimbusimin e TVSH-së për biznesin. Gjatë një takimi me përfaqësues të dhomave të biznesit mbi rekomandimet e tyre për përmirësimin e klimës dhe forcimin e dialogut, për të rritur reciprokisht kontributin në funksion të zhvillimit ekonomik e social të vendit, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama, ministrja Ibrahimaj tha se çdo kërkesë për rimbursimin e TVSH-së bëhet vetëm online, përmes Platformës Digjitale të Rimbursimit të TVSH-së. “Një plagë e biznesit ndër vite ka qenë sistemi i rimbursimit të TVSH-së. Ne vijmë nga një epokë kur TVSH-ja rimbursohej edhe me 1 deri në 2 vite me vonesë. Që nga data 7 mars, çdo kërkesë rimbursimi bëhet me një proces automatik, i cili nuk ka nevojë as për shkresa, as për kontakte me asnjë nga hallkat e administratës”, tha Ibrahimaj. Sipas saj, në vitin 2021 koha mesatare e rimbursimit ishte 75 ditë, ndërkohë sot koha mesatare e rimbursimit të një biznesi është 45 ditë. Kjo theksoi ministrja, do të thotë se administrata tatimore ka përmirësuar me të paktën 30 % afatin e rimbursimit të TVSH-së. Personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo kërkesë paraqitet sipas formularit të miratuar “Kërkesë për rimbursimin e TVSH-së” (online si dhe zyrtarisht pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve).http://ata.gov.al/2022/09/09/brenda-2023-shit-ulet-ne-30-dite-afati-i-rimbursimit-te-tvsh-se-per-biznesin/