Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIKursim me 2.5 % nga abonentët familjarë

Kursim me 2.5 % nga abonentët familjarë

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot se vetëm 4 % e familjarëve shpenzojnë mbi 800 kwh dhe kjo kategori do të ketë një faturë më të rritur të energjisë. Balluku deklaroi se në kushtet e një krize të zgjatur të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare, ku në fund të muajit gusht, çmimi i një megavati shkoi në 1040 euro, qeveria vendosi fashën 800 kwh. “Kjo është fasha deri ku mund të mbrojmë abonentin shqiptar”, deklaroi Balluku. Sipas saj, në këtë fashë është llogaritur konsumi i përditshëm, ku janë përfshirë edhe pajisjet, ngrohja e ujit dhe kondicionimi, që mbajnë peshën më të madhe. Zv/ministrja tha se me çmimin 9.5 lekë për kwh, fatura për 800 kwh të shpenzuar shkon në 7600 lekë dhe po të shtosh dhe TVSH-në, shkon në 9120 lekë. “96 % e konsumatorëve shpenzojnë nën 800 kwh në muaj. Mbi 800 kwh, shpenzojnë vetëm 4 % e abonentëve familjarë. Por ky 4 % i abonentëve shpenzon 19 % të konsumit total mujor. Me fashën e re që do të vendosim do të kemi dy efekte. 15 muajt e parë në vazhdim ndërmarrjet energjetike do të kursejnë 100 milionë dollarë. Ndërkohë do të kemi kursim të energjisë me 2.5 % nga vendosja e fashës 800 kwh. Duhet llogaritur që 1 % e sasisë së energjisë e konsumuar në një vit ka një kosto prej 3.34 miliardë lekësh”, u shpreh Balluku. Zv/kryeministrja shtoi më tej se të gjitha këto efekte duhet të pasohen edhe nga një fushatë ndërgjegjësimi. “Do e nisim nga institucionet shtetërore. Kemi vendosur një administrator për eficiencën e energjisë. Synimi ynë është që të ulim 15 % faturën aktuale të çdo institucioni. Duke nisur nga fatura e 1 nëntorit, institucionet duhet të konsumojnë 15 % më pak energji”, u shpreh Balluku. Zv/kryeministrja iu përgjigj edhe akuzave të ngritura në media se Shqipëria nuk ka lidhje me krizën, pasi prodhon energji nga burimet ujore dhe nuk përdor gazin rus. “Qëndrimeve se Shqipëria nuk ka lidhje me krizën, pasi ne nuk përdorim gazin rus, apo se përdorim burime hidrike, dua tu them se: ne as në vitet hidrike me prurje të fuqishme nuk e kemi mbuluar nevojën tonë. Qeveria ka dalë në import edhe në vitin 2010 dhe 2011, kur lëvizje në Shkodër me varkë. Kjo, sepse energjia është blerë në verë, kur vendi përballet me thatësirë“, deklaroi Balluku. Balluku bëri të ditur se Shqipëria nuk do të ekspozohet më nga krizat ndërkombëtare të energjisë në vitin 2030 me implementimin e plotë të strategjisë për diversifikimin e energjisë. “Shqipëria përmbush nevojat e saj për energji në masën 70 %, ndërsa importon 30 % të energjisë që konsumohet në vend. Ne nuk shpëtojmë nga importet, deri në përfundimin e strategjisë sonë për diversifikimin e energjisë. Në 2030-ën, Shqipëria parashikohet të kthehet në vend eksportues. Deri atëherë, Shqipëria do të mbetet e ekspozuar te çmimet e larta të energjisë elektrike, të cilat padyshim vijnë nga krizat ndërkombëtare”, deklaroi ajo.http://ata.gov.al/2022/09/08/fasha-800-kw-balluku-planifikohet-kursim-me-2-5-nga-abonentet-familjare/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments