Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALE100 ditë kohë 

100 ditë kohë 

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot që brenda 100 ditësh Policia e Shtetit duhet të dalë nga udhëkryqi ku ndodhet. “Drejtor i Përgjithshëm, unë besoj që nuk e teproj nëse them se brenda 100 ditësh Policia e Shtetit do të dalë nga udhëkryqi ku ndodhet dhe siç e kanë pasur paraardhësit tuaj, pa kushte, të plotë, pa asnjë ekuivok apo interferencë. Qoftë e largët dita kur unë do zë me gojën time emrin e një oficeri të vetëm policie ‘çoje këtu, çoje aty’, deri tani s’ka ardhur dhe nuk ka shans të vijë. Mbështetjen politike do ta keni edhe ju”, u shpreh Kryeministri gjatë prezantimit të drejtorit të ri të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. “E kam bërë me ju bisedën që kam bërë edhe me të tjerët përpara se të merrni detyrën, telefonatave ju keni për detyrë t’i përgjigjeni, por kërkesave nëpër telefona ju nuk keni detyrë t’i përgjigjeni nga kushdo qoftë që të vijnë dhe vetëm ditën kur unë do t’ju marr në telefon për të ndërhyrë, juve keni të drejtë të filloni të bëni shërbime të kësaj natyre, por kjo nuk ka për të ndodhur”, shtoi ai. Rama kërkoi po ashtu që Policia Rrugore të ikë nga pritat rutinë nëpër rrugët kombëtare. “Makinat inteligjente mund ta kryejnë më së miri kontrollin e shpejtësisë. Së shpejti do të kemi dhe sistemin e kamerave inteligjente, që do instalohet pjesë-pjesë në akset kombëtare të vendit dhe do fillojmë së shpejti me 200 kilometrat e para e do mbyllet përfundimisht epoka e kontrollit të shpejtësisë me sy nëpër kthesa e nëpër kënde rrugësh por unë besoj që sot Policia Rrugore duhet të largohet e mund të largohet nga të gjitha pritat, në të gjitha rrugët kombëtare, se boll ka punë në rrugët kombëtare për të garantuar moscenimin e akseve, mosndërhyrjet brutale, mosndërtimet jashtë vijës që përcakton ligji e të tjera, e të tjera”, tha ai. Po ashtu, Kryeministri tha se “Policia Kriminale duhet të ristrukturohet tërësisht e duhet ndarë dhe më qartë vija e luftës me krimin e organizuar në shkallë kombëtare nga ajo me krimet ordinere në shkallë qarqesh e bashkish. Kemi fituar avantazhe të rëndësishme në terrenin e luftës me krimin, dhe nuk mundet kurrsesi të vihet më në pikëpyetje, por përkundrazi, duhet thelluar ndjeshëm dhe duhen thelluar pa humbur kohë”. “Është e papranueshme që të zbulohen në vitin 2022 parcela me kanabis, për të cilat për më tepër u është thënë më parë partnerëve tanë të çmuar italianë, se pamjet fotografike të avionëve të tyre janë të paqarta. Kanabisi i paligjshëm nuk duhet të ketë e nuk ka arsye të ketë shans më në këtë vend, pasi faktikisht drejtuesi i mëparshëm i Policisë, përpara atij që zëvendësohet sot, e la fushën të pastër, jo bazuar në ato që thoshte apo thoshin oficerët e Policisë, por bazuar pikërisht tek partnerët italianë, tek ato fotografitë që ishin shumë të qarta e janë shumë të qarta. Le të jemi të qartë sot këtu në sy të publikut. Sot fushë me kanabis përjashto disa rrënjë nëpër shkrepa, por fushë si ato fusha që u zbuluan për të cilat partnerët italianë thoshin i keni aty, e nga këtu, nga Policia u thuhej nuk janë të qarta, mund të mbillen vetëm me bekimin e shefit të komisariatit dhe të kujt i mbron atij kurrizin, shpatullat, gjoksin, si të doni merreni, në këmbim të haraçit natyrisht, se nuk ka asnjë mundësi tjetër”, tha ai. Rama kërkoi rithemelimin e Strukturës së Krimit Ekonomik. “Struktura e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit është struktura më absurde, më joeficiente, dhe me thënë të drejtën më kokëforta përballë çdo përpjekje për ndryshim që është bërë, por ajo që ka ndodhur, sidomos muajt e fundit, është që ka kaluar nga parazitizmi, në aktivitet banditesk. Kështu që duhet të rithemelohet, të merret me krimin financiar në shkallët e larta të aktivitetit ekonomik të vendit, të merret me milionerët, në shkallët e larta, jo si kategori, por ata që janë problem, aty ku biznesi ndërvepron edhe me politikën e jo të dalë për gjah adresë më adresë e biznes më biznes, ky është fundi, që shyqyr e kemi kapur në fillim”, tha ai. Kryeministri tha se “është e papranueshme që të imagjinohet e jo më të ndodhi që të sulmohen biznese, nga pikërisht ai segment i Policisë së Shtetit që duhet të merret me krimin ekonomik dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur trimat që marrin pjesë në këtë reprezalje banditeske në dyert e bizneseve, kanë bekimin e shefit apo të shefit të shefit të tyre, se nuk ka si të ndodhë ndryshe”. “Prandaj pastrimi i mëtejshëm i Policisë duhet të fokusohet tek shefat që japin bekime në këmbim të haraçeve dhe që e kanë vendin në burg, jo në komisariat, jo në drejtori e jo në rreshtat e parë të Policisë së Shtetit, se kush i sheh nga punonjësit e policisë, nuk kupton më asgjë pse duhet ai ose ajo të besojë tek ligji, tek puna, tek profesionalizmi, tek pasioni, tek merita”, tha ai. Po ashtu, Kryeministri theksoi se bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese që nga Prokuroria, SPAK-u, SHISH-i, deri tek Tatimet e Doganat duhet çuar në një nivel tjetër dhe Policia e Shtetit duhet të fitojë kuota të reja besimi e kuota të reja mbështetjeje nga publiku. “Unë jua them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejtë. Unë kam shumë besim, mbase më shumë se asnjëherë tjetër më parë, që ky lidership i ri me kryepolicin e ri të Shqipërisë, me drejtuesin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, me drejtuesin e ri të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe me të tjerët që do të zgjidhen me proces nga drejtori i përgjithshëm dhe vetëm nga drejtori i përgjithshëm, do të hapë shpejt një kapitull të ri ndryshimi dhe arritjesh në funksion të forcimit të rendit dhe qetësisë publike, por mbi të gjitha të barazisë para ligjit”, tha Rama. Sipas tij, “askush nuk është mbi ligjin. Është shumë i rëndësishëm edhe si mesazh shumë i qartë, për të gjithë dhe ditën që cilindo emër që asociohet me mua apo me qeverinë për shkak të aktivitetit ekonomik të madh që ka, do të vihet përpara përgjegjësisë ligjore për cilëndo shkelje, të them të drejtën unë do jem dyfish i gëzuar. Cilido emër! Edhe për Policinë e Shtetit vlen e njëjta gjë, si për çdo institucion tjetër dhe për çdo fushë tjetër sot”. Duke folur për disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë muajit gusht, Rama tha se është e papranueshme që Policia e Shtetit nuk ka ende përgjigje për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. “A është e mundur dhe si është e mundur për shembull, që Policia e Shtetit, akoma sot, tani që flasim, nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri? Unë nuk e kam dëgjuar. Është e papranueshme që me javë të tëra, mëngjeset dhe darkat e shqiptarëve, ekran më ekran e faqe më faqe janë bërë si një Big Brother i kronikës së zezë. Jo u vra, jo nuk u vra, ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit, lloj-lloj legjendash, me luanë, me bamirës, me oligarkë, shto ujë e shto miell, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar. Dhe Policia e Shtetit sot nuk di ta thotë akoma, ore u vra apo nuk u vra? Kush e ka penguar ta thotë?”, tha ai. “Drejtori i Policisë së Shtetit që merr sot detyrën, si një nga oficerët me eksperiencën më të gjatë në shkallët e karrierës policore, duhet të sigurohet e të sigurojë që kjo dilemë të marrë fund sa më parë, e nëse i kërkuari është vrarë, t’i thuhet publikut që ky është vrarë, nëse nuk është vrarë, të gjendet, të kapet e t’i jepet drejtësisë”, tha Kryeministri.http://ata.gov.al/2022/09/07/policia-e-shtetit-100-dite-kohe-qe-te-dale-nga-udhekryqi/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments