Plasimi i rrushit në tregje dhe dorëzimi në bodrumet përpunuese është ndër problemet kryesore me të cilat përballen shumë vreshtarë në Rahovec. Përveç këtij problemi, vreshtarët atje po ankohen edhe për rritjen e çmimit të produkteve bujqësore, ndërsa rrushin po e shesin me çmim të ulët. Nazim Veliu, vreshtar nga Rahoveci, ditën e nis me kultivatorin e tij të vogël, ndërsa shpeshherë lindja e diellit e zë atë në vreshta. Kultivimi i rrushit, si në shumë familje të tjera të Rahovecit, është traditë edhe në familjen Veliu. Nazimi thotë për Radio Kosovën se ka të mbjella me varietete të ndryshme të rrushit më shumë se një hektar e gjysmë. “Me rrush merrem prej se unë e mbaj mend, e kemi traditë familjare. I kam të mbjella 1 hektar e 65 ari. Shumica e rrushit është i verës. Me rrush dhe përpunimin e tij është zor të merresh, sepse është punë e mundimshme dhe është goxha investim i madh”, tha ai. E, sot, më 2 shtator ku edhe zyrtarisht fillon vjelja e rrushit në Komunën e Rahovecit, ky vreshtar i vyeshëm shfaq sfidat me të cilat përballen shumica e vreshtarëve të kësaj komune. Ai thotë se rritja e çmimeve të pesticideve dhe derivateve të naftës, vetëm sa e ka rënduar edhe më shumë punën e vreshtarit. “Të mirat e rrushit janë kur ke përfitime. Tani janë rritur çmimet e pesticideve, mungesa e punëtorëve, nafta, plehrat kimikë dhe shtrenjtimi i imputeve të tjera, na kanë çuar në humbje”, shtoi Veliu. Plasimi i rrushit në tregje dhe dorëzimi në bodrumet përpunuese është ndër problemet kryesore me të cilat përballen shumë vreshtarë. Prandaj, Nazim Veliu shprehet i zhgënjyer duke thënë se nëse nuk ka një treg të sigurt, atëherë tradita vreshtare në Komunën e Rahovecit mund të zbehet nga viti në vit. “Sivjet jemi duke mirëmbajtur hardhinë e rrushit vetëm të mos prishet se është bimë shumë vjeçare, sepse i duhet kohë për t`u bërë prej fillimit. Përndryshe nuk kemi dobi dhe nëse vazhdon me këtë mos shitje e me këto çmime, shpejt do të humbë rrushi i Rahovecit”, deklaroi ai. Për problemet me të cilat përballen vreshtarët, flet edhe kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të Komunës së Rahovecit, Habib Dina. Edhe ky, thotë se problem aktual dhe i kamotshëm i vreshtarëve është mos pranimi i rrushit nga ana e bodrumeve përpunuese dhe rënia e çmimit nga viti në vit. “Çmimet nga viti në vit kanë pësuar rënie. Janë disa varietete që mund të ceki se çmimi ka qenë 50 centë për kilogram ndërsa tani është 25 centë. Ndërsa, te disa varietete të tjera çmimi ka shkuar deri të 10 e 11 centë për kilogram. Duke e marrë për bazë koston e prodhimit dhe rritjen e çmimeve të imputeve bujqësore, atëherë në këtë situatë mund të thuhet se të merresh me vreshtari nuk ka leverdi, por ne e mbajmë gjallë këtë veprimtari për arsye se është traditë dhe kulturë e jona”, tha Dina. Ndonëse kohëve të fundit janë rritur çmimet në pothuajse të gjitha produktet, duke përfshirë edhe ato bujqësore, megjithatë çmimi i rrushit vendor vazhdon të mbetet sikurse vitin e kaluar. E, për mos rritjen e çmimit të rrushit në treg, kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve, Habib Dina, e arsyeton kështu: “Duke marr parasysh që rrushi si produkt nuk është i domosdoshëm për mbijetesë nuk ka pasur rritje të çmimet, përkundrazi kërkesa për këtë produkt ka rënë. Kërkesa për konsum nuk është siç ishte më herët”, shtoi ai. Për shkak të çmimit tepër të lirë dhe problemeve të plasimit të rrushit në treg, vreshtari Veliu, tregon se në vjeshtën e vitit të shkuar, rrushin e kishte lënë pa vjelë nga vreshtat. “Vitin e kaluar shumicën e rrushit bodrumet e mëdha si “Stone Castle” e “Bodrumi i Vjetër”, nuk e kanë marrë rrushin. Jemi detyruar të shesim në bodrume të vjetra që janë familjare në Shqipëri e nga kemi mundur. Por, nuk kemi arritur që ta heqim krejt rrushin nga vreshtat. Prej nervozes e kemi lënë rrushin edhe nëpër vreshta. E këtë vit po flitet se u hap bodrumi për ne por më çmim shumë të ulët, 23 centë kilogrami e që me këtë çmim ne duhet ta lëmë përsëri nëpër vreshta, sepse as fuqinë punëtore nuk mund ta paguajmë”, përfundoi Veliu. Problemi i tregut të rrushit dhe dorëzimi i tij nëpër bodrume të Rahovecit, ishte premtim elektoral edhe i kryetarit aktual të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Ai, sërish thotë se edhe tani veraritë e kësaj komune kanë premtuar se do ta pranojnë rrushin, por problem vazhdon të mbetet çmimi i ulët për kilogram. “Ne kemi kontaktuar me të gjitha veraritë dhe është lajm i mirë që veraritë më të mëdha kanë pranuar ta pranojnë rrushin edhe sivjet. “Stone Castle” dhe “Bodrumi i Vjetër”. Por, natyrisht se do të pranojnë rrush nga vreshtarët ose nga bujqit e kësaj treve edhe Kompania e Ismet Haxhi Muratit pastaj edhe kompanitë e tjera më të vogla, por që janë të licencuara”, tha Latifi. Ndryshe, organizimi i festivalit të vjeljes së rrushit, që zyrtarisht fillon sot dhe zgjat deri më 4 shtator, edhe sivjet pritet të mbledhë në “qytetin e rrushit” “Hardhfest” rreth 70 mijë pjesëmarrës. Për dallim nga edicionet e tjera, ky festival sivjet i kushtohet poetit rahovecian, Xhevdet Bajraj, i cili vdiq më 22 qershor, në Meksikë, me moton: “ca kokrra rrushi…”, marrë nga e njëjta poezi e poetit Bajraj.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=615798