Qytetarët nga Kosova të cilët udhëtojnë në drejtim të Serbisë nga pika e kalimit kufitar Jarinjë dhe anasjelltas, janë duke udhëtuar lirshëm pa pasur nevojë për dokumente. Ata po udhëtojnë nga të dyja drejtimet duke përdorur vetëm letërnjoftimet e tyre. Pjesëtarë të KFOR-it së bashku me automjetet e tyre janë pozicionuar në Rudare dhe afër Leposaviqit në drejtim të Jarinjës, ndërsa nga ana e Bërnjakut, ata ndodhen në fshatin Çabër dhe Varage. Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit është e qetë. Marrëveshja për heqjen e dokumenteve për hyrje-dalje është arritur më 27 gusht, në mesin e tensioneve Kosovë-Serbi, pas vendosje së barrikadave nga serbët më 31 korrik në veri, duke bërë që diplomatët amerikanë dhe evropianë të shtonin angazhimin e tyre për arritjen e një marrëveshje për të shmangur dhunën. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në rast të mos zbatimit të marrëveshjes nga pala serbe, Prishtina zyrtare do t’i vendosë menjëherë masat reciproke, të cilat i kishte paralajmëruar në qershor. Sa i përket masës tjetër, atë të regjistrimit të automjeteve, autoritetet kosovare kërkojnë nga pronarët e automjeteve me targa të tilla që t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh. Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës qarkullojnë në veri, por marrëveshje për targat ende nuk ka, derisa zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje që pas marrëveshjes për dokumente të ketë edhe një të tillë për targathttps://ata.gov.al/2022/09/01/nis-zbatimi-i-marreveshjes-ne-jarinje/