Rasti i dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, më 27 gusht, nxiti thirrje për krijimin e një regjistri publik me të dhënat e personave të dënuar për krime seksuale në Kosovë. Të dyshuar për dhunimin e së miturës aktualisht janë pesë persona – që të gjithë të ndaluar nga policia. Rasti shkaktoi protesta dhe zemërim, si në rrugë, ashtu edhe në rrjetet sociale, ndërsa dorëheqje dhanë drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe udhëheqësi i Drejtorisë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Ali Gashi. Protestuesit që dolën në rrugë, thanë se frikësohen për sigurinë e fëmijëve të tyre në hapësira publike, pasi dhunimi i 11-vjeçares dyshohet të ketë ndodhur në një park në Prishtinë. “Kur do të vijë në pushtet ai politikan/e që do të guxojë të rregullojë me ligj publikimin në regjistër publik të emrave të dhunuesve që dënohen me aktgjykim final”, shkroi në Facebook juristja nga Kosova, Flutura Kusari. Thirrje të ngjashme bëri edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF. KOMF tha se, viteve të fundit, ka pasur rritje të vazhdueshme të numrit të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve në Kosovë, por nuk dha ndonjë shifër krahasuese. “KOMF kërkon krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe, rrjedhimisht, ndalimin e qasjes së tyre te fëmijët”, thuhet në deklaratën e këtij koalicioni, të publikuar më 30 gusht. Të dhënat e Policisë së Kosovës për periudhën janar-korrik të vitit të kaluar flasin për 59 raste të raportuara të dhunimit seksual, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti janë regjistruar 41 raste. A mund të krijohet në Kosovë regjistri i dhunuesve seksualë? Sipas autoriteteve dhe ekspertëve të drejtësisë në Kosovë, një regjistër publik i personave të dënuar për krime seksuale, me legjislacionin aktual, është vështirë të bëhet. Në botë, ndërkohë, ekzistojnë modele të krijimit të regjistrave të tillë. Sipas një ankete globale të Departamentit amerikan për Drejtësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër vendet e para dhe të rralla, ku listat e këtyre personave janë tërësisht të hapura për publikun dhe ku ekzistojnë kufizime të ndryshme për personat e dënuar, edhe pasi ata ta kanë vuajtur dënimin. Në shumë vende të Evropës, regjistrat e personave të dënuar për krime seksuale ekzistojnë, por janë të hapur vetëm për organet e rendit. Në disa vende të Ballkanit, si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe së voni Shqipëria, ekzistojnë regjistra publikë të personave të dënuar për krime seksuale. Në vitin 2010, Këshilli i Evropës – ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim – ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës ka inkurajuar shtetet anëtare që të mos krijojnë regjistra të tillë të hapur për publikun, por vetëm për organet e rendit. “Duhet siguruar që çdo legjislacion i respekton plotësisht të drejtat individuale, në veçanti të drejtën për jetën private, dhe për këtë arsye e kufizon qasjen në regjistrin e personave të dënuar për krime seksuale vetëm për zyrtarët”, thuhet në këtë rezolutë.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=615634