Bordi i Transparencës për Karburantet vendosi sot uljen me 9 lekë për litër të çmimit me pakicë të naftës dhe me 2 lekë për litër të benzinës. “Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 239 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 227 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 199 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 187 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet”, bën të ditur Bordi. Çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve, sipas Bordit, do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën). Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 31 Gusht ora 14.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi i Transparencës informon se ndjek lëvizjet e bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturat zyrtare të operatorëve. “Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ. Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetem me ndryshimet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim”, sqaron Bordi.https://ata.gov.al/2022/08/31/bordi-i-transparences-cmimi-i-naftes-239-leke/