Kombet e Bashkuara kanë kërkuar rreth 160 milionë dollarë fonde emergjente për të ndihmuar Pakistanin ku përmbytjet kanë vrarë më shumë se 1,150 njerëz që nga mesi i qershorit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Gutteres tha se përmbytjet të shkaktuara nga shirat e paprecedentë të musonit, ishin një sinjal për botën për të rritur veprimet kundër ndryshimit të klimës. “Le të ndalojmë së ecurit në gjumë drejt shkatërrimit të planetit tonë nga ndryshimet klimatike, Sot, është Pakistani. Nesër, mund të jetë vendi juaj” tha Gutteres. Më shumë se 33 milionë njerëz, ose një në shtatë pakistanezë, janë prekur nga përmbytjet katastrofike, të cilat kanë shkatërruar një vend që tashmë po përpiqet të ringjallë një ekonomi në vështirësi. Më shumë se 1 milion shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar në dy muajt e fundit, duke zhvendosur miliona njerëz. Rreth gjysmë milioni prej të zhvendosurve jetojnë në kampe të organizuara, ndërsa të tjerëve u është dashur të gjejnë strehën e tyre. Disa vende, duke përfshirë Kinën, Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë dërguar tashmë aeroplanë me artikuj ushqimor, çadra, ilaçe, ndihma të tjera dhe ekipe kërkim-shpëtimi. https://lajme.rtsh.al/artikull/permbytjet-ne-pakistan-okb-kerkon-160-milione-dollare-ndihme-urgjente