Sektori i prodhimit të lëkurës dhe këpucëve në Shqipëri është një sektor i rëndësishëm dhe me potencial të lartë për ekonominë e vendit. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të muajit korrik vlera e eksporteve të lëkurës dhe artikujve prej tyre llogaritet 1.7 miliardë lekë, nga 1.1 miliardë lekë që ishte për të njëjtën periudhë të vitit 2021. Ndërsa eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 80.5 miliardë lekë nga 66.2 miliardë lekë që ishin në periudhën janar-korrik 2021. Në fund të vitit 2021 numërohen afërsisht në të gjithë vendin 236 fabrika të prodhimit të këpucëve, me një total të punësuarish prej më tepër se 25 mijë persona, ose rreth 6 % të totalit të punësimit në vend. Industria e prodhimit të lëkurës dhe këpucës në vend zotëron rreth 20 % të totalit të eksporteve, me afërsisht 500 milionë euro në vit. Ndërsa, për vitin 2021, pesha që zinte vetëm importi i lëkurës së papërpunuar dhe përpunuar ishte 6,906 tonë dhe pesha në eksport ishte 4,334 tonë. Gjatë vitit 2020, për shkak të pandemisë, Shqipëria uli eksportet me Italinë, Kosovën dhe Spanjën dhe i rriti me Gjermaninë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht kësaj, sektori i tekstilit dhe këpucëve mbetet i pari për eksportet në Shqipëri. Sipas një analize të bërë nga Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), mbi zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e sektorit evidentohet se pandemia e COVID-19 ka krijuar një dinamikë të re në tregun e këpucëve, që kishte nisur edhe para saj. Sektori i lëkurës dhe këpucëve, kishte hyrë në një cikël të ri, për shkak të stoqeve të mëdha të krijuara nga një prodhim i konsiderueshëm, në vitin 2017. Shumë nga kompanitë e sektorit të lëkurës dhe këpucës, gjatë kohës së pandemisë për të mbuluar shpenzimet, u detyruan t’i përshtaten tregut duke filluar prodhimin e artikujve njëpërdorimshme për mjekësinë, për kompani të ndryshme ndërkombëtare. Për sa i përket tendencave të tregut, në këtë sektor, tregtia online dhe plakja e popullsisë po sjell mundësi të reja në prodhimin dhe tregtimin e këpucëve. Me këto ndryshime, fabrikat shqiptare do të duhet të përshtasin prodhimin, pasi kërkesa tani bazohet në një shumëllojshmëri këpucësh dhe atletesh, si kurrë më parë. Firmat e këpucëve janë më të avancuara për shkak të historikut të bashkëpunimit të tyre, me stilistët më të mirë të markave italiane të cilësisë së lartë. Disa prej produkteve më të eksportuara për sektorin e këpucëve, janë: çizme, këpucë gjimnastike, këpucë klasike, këpucë me taka, atlete futbolli dhe sportive, sandale, shapka, këpucë alpinizmi, këpucë sigurimi, ortopedike për trajtimin e patologjive skeletike, pantofla. AIDA për t’u ardhur në ndihmë kompanive shqiptare në fushën e inovacionit dhe teknologjisë ka mbështetur bizneset e fasonit, për blerje pajisjesh teknologjike dhe auditim të kapaciteteve inovative dhe teknologjike, nëpërmjet Fondit të Inovacionit. Avantazhet e tregtisë me Shqipërinë janë krahu i lirë i punës; afërsia gjeografike me tregjet europiane; eksperienca pozitive, shumëvjeçare, me firmat më të njohura europiane; fleksibilitet në rastin e porosive të mëdha dhe të vogla; fuqi punëtore e kualifikuar; dërgesa të shkurtra në kohë në vendet e BE-së; kosto relativisht e ulët e transportit në Europë; aftësi të shkëlqyera të gjuhës së huaj; politika mbështetëse të qeverisë dedikuar këtij sektori. Kontributi i kësaj industrie për tregtinë e huaj në Shqipëri ka rëndësi të madhe, pasi ky kontribut sjell të ardhura nga eksporti dhe ka treguar një rritje të qëndrueshme deri në 230%, që nga viti 1993, sipas të dhënave të INSTAT. Disa prej kompanive që operojnë në treg kanë arritur të prodhojnë me cikël të plotë, që përfshin projektim, modelim, blerje të lëndës së parë, prodhim, eksport dhe shitje me pakicë dhe ka një kapacitet prodhimi prej 5,000 palë këpucë në ditë. Industria e lëkurës dhe këpucës ka pasur rëndësi të veçantë për ekonominë e Shqipërisë, gjatë periudhës 1960-1990. Bazuar në modelin e ekonomisë së centralizuar, vendi zhvilloi një sektor për të gjithë zinxhirin, duke filluar nga sigurimi i lëndëve të para dhe i lëkurës së përpunuar dhe të regjur, deri te strukturat e prodhimit të plotë. Rrethi ishte i mbyllur dhe prodhimi synohej për tregun vendas, duke përmbushur, plotësisht, të gjitha kërkesat e tij. Mbas viteve ‘90, sipërmarrjet e përfshira në grumbullimin dhe prodhimin e produkteve të lëkurës dhe të këpucëve u privatizuan dhe, në shumicën e rasteve, ato e ruajtën destinacionin. Megjithatë, vetëm një pjesë e këtij zinxhiri u vendos përsëri në funksion, kryesisht, për kërkesën që vinte, më së shumti, nga Italia për nënkontraktimin e shërbimeve në Shqipëri, në formën e industrisë fasone.