Wednesday, November 27, 2024
HomeSOCIALEHapet për qarkullim segmenti i ri rrugor Palasë-Dhërmi

Hapet për qarkullim segmenti i ri rrugor Palasë-Dhërmi

Rruga Palasë-Dhërmi është hapur provizorisht për qarkullim. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, inspektoi sot rrugën, teksa bëri të ditur se ajo do të jetë përfundimisht gati në fillim të sezonit të ardhshëm veror. Balluku tha se kjo rrugë është e projektuar për t’i ardhur në ndihmë fshatrave turistike që po ndërtohen në këtë zonë, pjesë e projekteve strategjike që janë miratuar nga Këshilli i Investimeve Strategjike për ndërtimin e ujësjellësve, apo furnizimin më të mirë me energji elektrike. “Hapja e këtij aksi do të ndihmojë në lehtësimin e trafikut të rënduar në aksin Palasë-Dhërmi. Tashmë, të gjithë ata që duan të vizitojnë Dhërmiun mund të përdorin këtë rrugë“, u shpreh zv/kryeministrja Balluku. Sipas saj, rruga lidhet dhe me tunelin e Llogorasë. Balluku informoi se punimet në tunelin e Llogorasë po ecin me ritme të larta dhe se deri tani është hapur më shumë se gjysma e tunelit. “Në muajin shkurt të vitit që vjen, ne besojmë se do të ketë dritë në të dy anët e tunelit”, theksoi ajo. Zv/kryeministrja Balluku, më tej shtoi se projekti i ndërtimit të rrugës Palasë-Dhërmi parashikon edhe ndërtimin e një pedonaleje për këmbësorët, si dhe një korsie për biçikletat dhe vrapuesit. Balluku renditi dhe disa nga akset rrugore në të cilat është punuar përgjatë këtij viti. Sipas saj, deri tani janë hapur bajpasi i Vlorës, aksi Kardhiq-Delvinë, ndërsa do ti nënshtrohet rehabilitimit edhe rruga Fier-Vlorë. “Kemi hapur kantiere të reja, si kantieret e Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa është hapur edhe gara për Korridorin Blu”, informoi Balluku. Javën që vjen, Balluku bëri të ditur se do të hapet për qarkullim edhe rrethrrotullimi i TEG-ut, duke lehtësuar ndjeshëm edhe qarkullimin e mjeteve drejt Elbasanit dhe për nga Tirana.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments