Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballluku deklaroi se qeveria do të vijojë mbështetjen edhe për tre muaj të tjerë për sektorin e transportit publik duke mbajtur të pandryshuar çmimin e biletave për qytetarët. “Sot ka qenë mbledhja e parë e qeverisë pas pushimeve verore dhe kemi pasur në rendin e ditës 5 pika që kanë të bëjnë me aktet e shpronësimit. Një nga aktet më të rëndësishëm është vendimi për përcaktimin e procedurave të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, pjesë e paketës antikrizë. Ne kemi përcaktuar një masë kompensimi për të gjitha shoqëritë e transportit që ofrojnë transport publik, e cila ka qenë në fuqi deri në fillim të muajit gusht. Paketa e muajit prill është konsumuar dhe tërhequr nga kompanitë rreth 60% e fondit. Me aktin e sotëm është marrë vendimi që kjo paketë të vazhdojë dhe të qëndrojë në fuqi për muajin gusht, shtator dhe tetor”, tha Balluku.
Lidhur me çmimin e lartë të karburantit në vendin tonë në krahasim me rajonin, ministrja shpjegoi se “Mali i Zi dhe Maqedonia, taksën e karbonit e paguajnë në mënyrë të veçantë, ndërsa Shqipëria e ka të përfshirë në çmimin e karburantit”. Pyetjes nëse do të shkrihet Bordi i Transparencës, ministrja tha se Bordi nuk ndikon në çmimin e naftës pasi nuk rrit e as ul çmimet, por kontrollon dhe bën transparencë publike. “Bordi nuk ndikon në çmimin e naftës, është për të kontrolluar dhe për të bërë transparencë publike, as nuk e rrisim dhe as nuk e ulim çmimin e naftës. Flitet që çmimi ka rënë në bursa, por është i rremë, çmimi që i referohen zotërinjtë ka të bëjë më çmimin bruto, ndërsa ne i referohemi çmimit të produktit”, tha Balluku. Qeveria miratoi përmes një Akti Normativ në muajin prill të këtij viti, vendimin për kompensim të kompanive të transportit publik me 100 lekë për litër nafte, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga rritja e çmimit të biletës.