Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, po punon që këtë vit sistemi i aplikimit në programin IPARD, për të marrë mbështetje financiare për investime në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit të jetë online. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë bashkëbisedimit me një nga përfituesit e programit IPARD, në mekanikë bujqësore, tha se “tani letrat që ti ke shkuar t’i marrësh në zyra të institucioneve të ndryshme, si p.sh., certifikatën e pronësisë, dëshmi penaliteti, etj., do të jenë online”. “Pra institucionet do të ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe AZHBR-së i dalin online këto dokumente, nëse janë ok. Në të kundërt, këto dokumente do t’i kërkohen aplikantit t’i sjellë vetë, deri në një afat të caktuar”, shpjegoi Krifca. Ministrja tha se, kjo procedurë do të lehtësojë fermerët të aplikojnë në programin IPARD dhe mos harxhojnë kohë dhe kosto për të marrë këto dokumente. Shqipëria përgatitet për programin IPARD III që adreson masa të reja mbështetëse financimi për bujqësinë dhe agroturizmin. Ndërkohë, programi IPARD ka mbështetur rreth 437 investime të reja në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit me vlerë granti 80 milionë euro. Përmes programit IPARD II janë injektuar 170 milionë euro investime në ekonomi, ndërsa 245 projekte janë financuar dhe paguar.https://ata.gov.al/2022/08/22/krifca-se-shpejti-aplikim-online-i-fermereve-ne-programin-ipard/