Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj rikonfirmoi vijimin e mbështetjes në përgjigje të efekteve të krizës ndërkombëtare për shtresat në nevojë, bizneset, por edhe disa sektorë të ekonomisë. “Ne do të vijojmë të kemi politikë mbështesë ndaj shtresave në nevojë që do të ndikojë si në ecurinë e konsumit dhe mirëqenien e ekonomisë“, deklaroi ministrja Ibrahimaj gjatë konferencës së përmuajshme lidhur me ecurinë e ekonomisë. Ministrja tha se, në fund të muajit korrik Ministria e Financave dhe Ekonomisë hartoi një akt normativ për rishikimin e buxhetit, ku u parashikuan ndërhyrjet që qeveria shqiptare do të ndërmarrë me qëllim stimulimin e ekonomisë dhe frenimin e efekteve negative nga konjukturat ndërkombëtare të çmimeve. “Këtë paketë të plotë masash do ta bëjmë publike shumë shpejt dhe paraprakisht mund të them përfshin ato masa që janë marrë në paketën e parë qoftë për mbështetjen e biznesit, ashtu dhe konsumit”, tha Ibrahimaj. Paketa e parë e rezistencës sociale: 3.6 miliardë lekë për të indeksuar pensionet. Përfituan 673.542 pensionistë. 2. Për 434 mijë përfitues, qytetare e qytetarë të këtij vendi, qeveria kompensoi me lekë në dorë, rritjen e çmimeve të shportës me 3 mijë lekë për 3 muaj për: – pensionsitët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, – pensionistët e invaliditetit, – pensionistët që jetojnë vetëm, (në kuptimin individualisht apo në çift). – persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike. 3. Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa, shkoi 1.4 miliardë lekë, me një shtesë plus prej 5 milionë USD. 4. Qeveria mbështeti të gjithë shqiptarët që përdorin linja urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit, qoftë kur hipën në autobus brenda qytetit e qoftë kur hipën në një autobus për të shkuar nga një qytet në tjetrin. 5. Zeroi taksën për pagat deri në 40 mijë lekë dhe përgjysmoi taksën mbi pagat deri në 50 mijë lekë, si dhe uli taksën mbi pagat nga 150 mijë deri në 200 mijë, që do të thotë, 56% e atyre që në Shqipëri jetojnë me punë dhe paguhen me pagë, paguajnë 0 taksë mbi pagën. 6. Rriti pagën minimale me 2000 lekë, duke e çuar nga 30 mijë, në 32 mijë lekë. 7. Qeveria shtoi 20 miliardë lekë të tjera për financimin e mburojës së çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset e vogla.https://ata.gov.al/2022/08/22/ibrahimaj-gati-paketa-e-dyte-e-rezistences-sociale/