Gjatë 24orëve të fundit është shënuar një rast i vdekjes nga infektimi me Covid-19, derisa janë regjistruar edhe 303 raste të reja të infektimeve. Derisa bëhet thirrje për vaksinim, ajo që është evidente kohëve të fundit është numri i vogël i fëmijëve të vaksinuar nga mosha 5-10 vjeç. Madje në komunën e Fushë-Kosovës, deri më tani asnjë fëmijë nuk është vaksinuar me dozën e miratuar pediatrike. Ndonëse është miratuar vaksina për aplikim te fëmijët nga mosha 5 vjeçare, në qendrat e vaksinimit ka pak interesim. Profesionistët shëndetësorë deklarojnë se duhet bëhet më shumë fushatë vetëdijesuese. Në Fushë Kosovë nuk ka pasur asnjë rast të regjistruar apo interesim nga prindërit për t’i vaksinuar fëmijët nga mosha 5 deri në 11 vjet.
“Tash e një muaj jemi furnizuar me vaksinën Covid-19 me dozën pediatrike për vaksinimin e fëmijëve prej pesë deri në 11 vjeç. Në periudhën njëmujore nuk kemi asnjë fëmijë të vaksinuar në këtë grupmoshë. Ka nevojë për sensibilizim më të madh”, tha Fitnete Simnica- Ferizi, Koordinatore e QVC-së Fushë Kosovë. Ndërsa në Prishtinë numri i fëmijëve të vaksinuar me dozë pediatrike në muajin e parë nuk arrin as në 10. “Në muajin e parë janë vetëm 6 fëmijë që kanë marrë dozën pediatrie”, tha Florie Rashani nga Qendra e Vaksinimit Prishtinë. Madje stafet mjekësore që punojnë në këto qendra bëjnë me dije se edhe këto raste që janë vaksinuar atë e kanë bërë për çështje të udhëtimit. Por në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se janë qindra fëmijë të vaksinuar. Në përgjigjen e këtij institucioni dhënë RTK-së, thuhet se janë vaksinuar 200 fëmijë me doza pediatrike.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=614896