Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare pedagogu dhe personaliteti i Shkencave Veterinare në Shqipëri, Haxhi Aliko. Lajmin e dha Akademia e Shkencave që përcolli dhe arritjet kryesore të këtij personaliteti. Prof. Aliko u formua si specialist i Shkencave Mjekësore Veterinare me përfundimin e studimeve në vitin 1962 pranë Fakultetit të Mjekësisë Veterinare të Institutit të Lartë Bujqësor, pranë të cilit vazhdoi me një karrierë të spikatur 35-vjeçare në fushën akademike. Duke nisur fillimisht si Asistent Lektor në lëndën “Fiziologjia e Kafshëve Bujqësore” shumë shpejt u bë titullar i saj dhe më pas drejtues për 16 vjet i Katedrës “Fiziologji-Biokimi”. Profesor Aliko la gjurmë të thella në veprimtarinë e Universitetit Bujqësor të Tiranës duke qenë për 4 vjet rektor i tij. Në këtë pozicion, duke u shquar për ndjenjën e përgjegjësisë, integritetin dhe profesionalizmin, ai do të mbahet mend si një nga drejtuesit me më shumë peshë të këtij institucioni. Gjithnjë këmbëngulës, ai ishte shembulli i punës serioze në kërkimin shkencor duke u bere nismëtar i udhëheqjes së studimeve mbi sëmundjet metabolike në kushtet e prodhimit blegtoral. Në vitin 1979 fitoi titullin “Kandidat i Shkencave”, më 1982 titullin “Profesor i Asociuar” dhe më pas titullin “Profesor”. Me këmbënguljen e tij, qysh në fillim të viteve ‘80 arriti të formojë një grup kërkimor pranë Fakultetit të Veterinarisë, veprimtaria e të cilit i përafrohej niveleve ndërkombëtare. Pavarësisht vështirësive të kohës, veprimtaria shkencore e prof. Alikos është pasqyruar në botimin e 37 artikujve shkencorë, 7 teksteve mësimore, 3 libra dhe monografi, 7 udhëheqje disertacionesh si dhe botime të tjera në periodikë të ndryshëm. Në vitet e fundit të karrierës, prof. Aliko u angazhua në mënyrë aktive në politikë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministër i Bujqësisë. Për gjithë veprimtarinë e tij si personalitet në fushat akademike dhe shoqërore ai është vlerësuar dhe dekoruar nga institucione të ndryshme ku në mënyrë të veçantë mund të përmendet çmimi “Laureat i Republikës” në vitin 1989.https://ata.gov.al/2022/08/18/ndahet-nga-jeta-pedagogu-i-shkencave-veterinare-haxhi-aliko/