Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë misioni i KFOR-it është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti i Kosovës. Ai ka thënë se e kanë rritur prezencën në veri të Kosovës dhe synimi është të reduktohen tensionet. Stoltenberg ka theksuar se dialogu është mënyra e vetme për të reduktuar tensionet në Kosovë. Shefi i NATO-s ka folur në një konferencë për media në Bruksel pas takimit që ka mbajtur me presidentin e Serbisë. Stoltenberg ka thënë se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës. Sipas tij, KFOR-i është duke e vëzhguar situatën megjithëse ka shtuar se situata në teren është përmirësuar. Ai ka thënë se janë të gatshëm të intervenojnë në rast të destabilizimit të situatës. “Përderisa situata në terren është përmirësuar, është përgjegjësi e të gjitha palëve, veçanërisht e zyrtarëve nga Beogradi dhe Prishtina që të parandalojnë përshkallëzimin përsëri. U bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën. NATO vazhdon të monitorojë afër situatën në terren, misioni ynë paqeruajtës i KFOR-it mbetet i fokusuar në mandatin në OKB, nëse rrezikohet stabiliteti, KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë, dhe ne do të marrim çdo masë që është e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë, dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës. Dialogu konstruktiv është mënyra e vetme për zgjidhjen e dallimeve në rajon, dhe dialogu Prishtinë-Beograd i lehtësuar nga BE-ja është platforma për të gjetur zgjidhjen që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”, u shpreh Stoltenberg. Ai ka thënë se e përshëndet raundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi dhe ka shtuar se inkurajon palët të angazhohen në mirëbesim për të treguar fleksibilitet dhe të jenë konstruktiv. Stoltenberg ka kujtuar se KFOR-i është misioni më i madh jashtë territorit të NATO-s, me rreth 4.000 ushtarë. Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se e respektojnë misionin e KFOR-it. “Ne do të vazhdojmë të respektojmë mandatin e KFOR-it në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, normat e shpallura nga Kombet e Bashkuara. Dhe unë besoj se ne gjithmonë do të jemi në gjendje të arrijmë të hasim në mirëkuptim të Stoltenberg, të gjithë KFOR-it dhe NATO-s që të sigurohet paqja dhe stabiliteti. Unë thashë se paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie thelbësore për Serbinë. Nuk më pëlqen t’ia vë fajin dikujt tjetër, as të përdor këtë histori fëmijërore. Nesër do të kemi diskutime të vështira. Ne nuk pajtohemi, pothuajse për asgjë, por ajo që është e rëndësishme, Serbia do t’i përmbahet të drejtës publike ndërkombëtare, rezolutës së OKB-së, Kartës së OKB-së, marrëveshjes së Brukselit dhe gjithçka që është nënshkruar”, tha ai.http://ata.gov.al/2022/08/17/stoltenberg-nese-rrezikohet-stabiliteti-kfor-i-eshte-i-gatshem-te-nderhyje/