Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë maqedonase ”Elektranat”, Vasko Kovaçevski, në një konferencë për media kanë informuar për një sërë rekomandimesh dhe masash për kursimin e energjisë elektrike. Sipas Bekteshit, rekomandimet dhe masat e miratuara synojnë uljen e konsumit të energjisë elektrike në prag të dimrit, kryesisht për institucionet shtetërore dhe publike, por edhe për konsumatorët familjarë dhe kompanitë. ”Parashikimet janë se do të përjetojmë një nga dimrat më të vështirë energjetikë, jo vetëm vendi ynë, por të gjitha vendet e rajonit dhe Evropës”, tha Bekteshi. Sipas ministrit, për konsumatorët familjarë dhe kompanitë parashikohen vetëm rekomandime, të cilave duhet t’u bashkohen për të kursyer energjinë elektrike, ndërsa për institucionet parashikohen detyra specifike. ”Qëllimi që duhet arritur është 15 për qind reduktim i konsumit të energjisë krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Nëse ky synim nuk arrihet, do të ketë sanksione për organin që drejton institucionin, të parashikuara me vendim të posaçëm të qeverisë”, tha Bekteshi. Sipas masave të miratuara, në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 31 mars të vitit 2023 të gjithë drejtuesit e institucioneve publike në nivel qendror duhet të ndërmarrin masat e duhura për uljen e konsumit të energjisë elektrike dhe të ngrohjes. Ndër të tjera, ata duhet të ndalin ndriçimin dekorativ në fasadat e të gjitha ndërtesave publike dhe monumenteve të kulturës, në ndërtesat publike, si dhe të ndalin të gjithë kompjuterët pas përfundimit të punës. Po ashtu në sezonin e ftohjes temperatura e kondicionerëve duhet të jetë jo më e ulët se 27 gradë, ndërsa në sezonin e ngrohjes jo më e lartë se 20 gradë. Kovaçevski njoftoi se nevojat për energji elektrike të qytetarëve dhe të konsumatorëve të vogël plotësohen ekskluzivisht nga prodhimi vendas. Ai po ashtu njoftoi se në shtatë muajt e parë të këtij viti është shënuar një rritje prej 15 për qind në prodhimin e energjisë elektrike në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.http://ata.gov.al/2022/08/17/shkup-maqedonia-e-veriut-miraton-masat-per-kursimin-e-energjise-elektrike/