Sindikata e Arsimit, ka paralajmëruar se me datë 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë në grevë në rast se deri nesër qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të tyre. Po ashtu, kësaj greve pritet t’i bashkëngjitët edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovë. Viti i ri shkollor pritet ta gjejë tërë sistemin arsimor në grevë në rast se deri atëherë qeveria nuk reflekton ndaj kërkesave të tyre. Këtë e bëri të ditur Ymer Ymeri, nga Sindikata e Arsimit, i cili tha se në rast se deri nesër nuk do të reflektojë qeveria karshi kërkesave të tyre, me 1 shtator do të këtë grevë të përgjithshme e të cilën do ta shpallë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovë. “Nëse deri me datë 1 shtator nuk do të këtë marrëveshje me qeverinë do të ketë grevë të përgjithshme në kohë të pacaktuar deri në realizimin e kërkesave, ku pjesë e saj do të jetë edhe sistemi arsimor në vend. Nëse edhe sot nuk do të ketë reflektim nga ana e qeverisë, nesër pritet që kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës të dalë në konferencë për medie dhe të shpallë datën e grevës se përgjithshme dhe formimin e këshillit grevist”, ka theksuar për RTK Radio, Ymer Ymeri. Po ashtu, Ymeri tha se përfaqësuesit e sindikatave i kanë shterur të gjitha mundësitë për të arritur një dialog me qeverinë por se ka munguar vullneti nga ana e ekzekutivit dhe tani e vetmja rrugë ka mbetur greva. “Si BSPK i ka bërë të gjitha përpjekjet për të pasur një dialog me qeverinë, ku e kemi angazhuar edhe ndërmjetësuesin për qeveri ashtu qysh e thotë ligji mbi grevën, por qeveria nuk ka qenë e gatshme për të filluar bisedimet. Janë shterur të gjitha mundësitë e tjera të veprimeve dhe ka mbetur mundësia e vetme, që është greva”, ka shtuar ai. Kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës janë që deri në miratimin e Ligjit për Paga, të gjithë punëtorët e sektorit publik të marrin një shtese prej 100 euro në muaj, nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe nënshkrimin e marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=614611