Rritja e çmimit të gazit për familjet dhe bizneset gjermane në dimër, një masë që synon të ndihmojë importuesit si kompensim për kostot vazhdimisht në rritje për ta, nuk mund të përjashtohet nga tatimi i vlerës së shtuar (TVSH), deklaroi sot Komisioni Europian. Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, i cili vjen nga radhët e partisë pro-biznes të “Demokratëve të Lirë” (Free Democrats), i kishte kërkuar Komisionit Europian një përjashtim nga rregullat fiskale të Bashkimit Europian duke pezulluar TVSH-në mbi çmimin e rritur të gazit, në mënyrë që të shmanget një çmim edhe më i lartë për konsumatorët. Ligjet fiskale të BE-së përcaktojnë nivele minimale të TVSH-së për të gjitha vendet anëtare dhe lejon heqjen e plotë të TVSH-së vetëm për ushqimet dhe nevoja të tjera themelore të popullatës. “Është e pamundur të përjashtohet nga skema e TVSH-së një taksë e tillë mbi gazin”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit në Bruksel. “Ne jemi në kontakt me qeverinë gjermane për gjetjen e zgjidhjeve të mundshme, që do të jenë në dobi dhe do të kenë të njëjtin efekt për konsumatorët fundorë”, shtoi zëdhënësi. Berlini bëri të ditur një ditë më parë se konsumatorët gjermanë do të duhet të paguajnë shumë më tepër për gazin që konsumojnë duke nisur nga muaji tetor, në mënyrë që të ndihmohen importuesit, të cilëve u duhet të blejnë gaz me çmime shumë më të larta nga furnizues jashtë Rusisë dhe po përballen me humbje të mëdha. Çmimi i rritur është 2.4 qindarka për kilovat/ orë, që do të përkthehet me një pagesë shtesë prej të paktën 500 eurosh në vit për çdo familje. Duke shtuar edhe pagesën e TVSH-së prej 19%, çmimi do të rritet edhe me 0.46 qindarka të tjera dhe fatura shtesë llogaritet në të paktën 576 euro në vit. Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck pati njoftuar më parë se do të krijonte një mekanizëm kompensimi, nëse përjashtimi nga TVSH-ja është i pamundur.http://ata.gov.al/2022/08/16/gjermani-ke-refuzon-te-perjashtoje-cmimin-e-rritur-te-gazit-nga-tvsh-ja/
Refuzon të përjashtojë çmimin e rritur të gazit nga TVSH-ja
RELATED ARTICLES