Ekspertët e ekonomisë kanë paralajmëruar se rritja e lehtë e nivelit të papunësisë në Britaninë e Madhe mund të sinjalizojë një situatë edhe më shqetësuese në të ardhmen. Të dhënat zyrtare të publikuara sot tregonin që niveli i papunësisë në Britaninë e Madhe u rrit me 0.1 pikë përqindjeje në 3.8% në tre muajt e fundit deri në qershor. Është rritja e parë e papunësisë në 17 muaj, pasi kompanitë kanë patur nevoja të mëdha për punonjës. Pas publikimit të të dhënave, Samuel Tombs, ekspert i lartë i ekonomisë në qendrën kërkimore “Pantheon Macroeconomics”, u shpreh se papunësia pritet të rritet më shpejt se sa është parashikuar nga ekspertët e Bankës së Anglisë. “Kërkesa për punëtorë ka nisur të stabilizohet, ndërkohë që një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po hyjnë në tregun e punës. Shkalla e papunësisë nuk po ulet më dhe indikatorët sugjerojnë se papunësia në fakt do të nisë të rritet shumë më shpejt se sa ka parashikuar Banka Qendrore”, tha ai. Ai shtoi se 195 mijë njerëz hynë në tregun e punës në tre muajt deri në qershor, duke shënuar një rritje me 0.6%, ose tre herë më e lartë se mesatarja e dekadës së kaluar.