Shqiptarët po rrisin interesin të depozitojnë para cash automatikisht në bankomate, (ATM) pa qenë nevoja të presin në radhë dhe të kryejnë këto veprime në bankën ku ato kanë llogaritë e tyre. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se përdorimi i depozitimit cash në ATM po rritet me ritme të shpejtë. Për 6-mujorin 2022, vlera mesatare e depozitave në ATM ishte rreth 2.26 miliardë lekë. Volumi mujor i depozitimeve në ATM është rritur me 36% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa numri i transaksioneve (depozitimeve) arrin mesatarisht 43 mijë depozitime në ATM çdo muaj, me rritje 9% krahasuar me mesataren e vitit 2021. Në fund të muajit qershor, numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash arriti në 289, ose rreth 35% e ATM-ve të sektorit bankar mundësojnë edhe shërbimin e depozitimit të parasë cash. Zhvendosja e këtyre veprimeve në terminalet automatike ATM është një lehtësi e madhe për bankat dhe për klientët, sepse kursen kohë dhe krijon hapësira që sportelet të përdoren vetëm për ato shërbime që nuk mund të kryhen në mënyrë të automatizuar. Statistikat tregojnë se, në terma mesatarë, depozitimet cash në bankomate përbëjnë rreth 16% të shumës së tërheqjeve të parasë cash prej tyre. Depozitimi i parasë cash në ATM mund të bëhet kryesisht në llogaritë rrjedhëse të lidhura me një kartë bankare, ndërsa derdhjet në depozita me afat apo llogari kursimi duhet bërë ende në sportele. Megjithatë, dixhitalizimi dhe automatizimi i mëtejshëm i shërbimeve bankare pritet të zgjerojë hapësirat edhe për zgjerimin e spektrit të derdhjeve që mund të kryhen automatikisht në ATM. Përdorimi më masiv i këtyre kanaleve do të kufizonte daljen e parasë fizike nga sistemi bankar.http://ata.gov.al/2022/08/16/depozitimet-cash-ne-bankomate-u-rriten-me-36/