Piero Angela, i pagëzuar si “patriarku italian” i gazetarisë dhe popullarizimit të shkencës në televizion, ka ndërruar jetë në moshën 93 vjeçare, njoftoi sot familja e tij. “Rrugëtim të mbarë në përjetësi, baba”, shkroi Alberto Angela në një postim në faqen e tij në rrjetet sociale, duke bërë të ditur vdekjen e babait të tij. I lindur në Torino në vitin 1928, Piero Angela e filloi karrierën e tij në gazetari në “RAI” si gazetar radioje, ndërsa më vonë u bë korrespondent dhe prezantues lajmesh. Popullariteti i tij i gjerë në botën e televizionit ka të bëjë me programet popullore shkencore, që themeluan një traditë solide të dokumentarëve shkencorë në televizionin italian. Piero Angela gjithashtu është autor i shumë librave kushtuar shkencës: Në Kërkim të Jetës në Kozmos (1980); Makineria që Mendon (1983); Oqeanet (1991); Sfida e Shekullit (2006); Përse Duhet të Bëjmë më Shumë Fëmijë (bashkë-autor me L. Pinna, 2008); Për Çfarë Duhet Politika? (2011); Pas Kuintave të Historisë; Jeta e Përditshme në Kohëra (bashkë-autor me A. Barbero, 2012); Udhëtim në Mendje: të njohim trurin që të jetë i shëndoshë (2014); 13 Miliardë Vjet; Sytë e Mona Lizës (2016) etj. Në vitin 2017 botoi autobiografinë e tij e titulluar “Rrugëtimi im i Gjatë. Në vitin 2004 iu akordua titulli Oficer i Lartë i Urdhërit të Meritës së Republikës së Italisë, si dhe titulli Kalorës i Kryqit të Madh të Republikës së Italisë në vitin 2021.http://ata.gov.al/2022/08/13/itali-vdes-gazetari-i-njohur-piero-angela/