Vendimi përcakton gjithashtu përgjegjësitë e prodhuesve, përfaqësuesve të autorizuar, importuesve dhe shitësve për sigurimin e etiketave dhe saktësinë e informacionit të dhënë në to.
Prodhuesi ose përfaqësuesi i tij i autorizuar, i vendosur në një shtet anëtar të BE-së, është përgjegjës për etiketat dhe saktësinë e informacionit. Në rastet kur prodhuesi dhe përfaqësuesi i tij nuk janë të vendosur në BE, përgjegjësia i kalon importuesit ose personit që e vendos produktin për herë të parë në tregun e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, shitësi duhet të garantojë që këpucët e vendosura në shitje të kenë etiketimin në përputhje me kërkesat e rregullit teknik.
Vendimi parashikon se informacioni tekstual shtesë në etiketim mund të vendoset sipas nevojës, pa qenë kusht për tregtimin e produkteve që përmbushin kërkesat e përcaktuara.
Ndryshimet hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, ndërsa disa dispozita, që lidhen me përafrimin e mëtejshëm me legjislacionin e Bashkimit Evropian, do të zbatohen në ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Vendimi është miratuar me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit.





