Pesë vende të BE-së kërkojnë që Britania të kontribuojë financiarisht në fondet e zhvillimit rajonal në këmbim të integrimit më të ngushtë energjitike, shkruan euronews.com.

Pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Mbretërisë së Bashkuar të kontribuojë financiarisht në fondet e zhvillimit rajonal të BE-së, në këmbim të një integrimi më të ngushtë në tregun evropian të energjisë elektrike.

Nisma mund ta shndërrojë bashkëpunimin energjetik në një debat më të gjerë mbi kushtet e marrëdhënieve mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian pas Brexit.

Letra është firmosur nga kryeministri belg Bart De Wever, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden dhe kryeministri holandez Rob Jetten.

Edhe një projektdeklaratë e përbashkët BE-Mbretëria e Bashkuar, e parë nga Euronews, tregon se liderët evropianë mbështesin në parim idenë e një kontributi britanik në fondet e kohezionit të Bashkimit Evropian. Megjithatë, teksti mund të pësojë ndryshime përpara samitit të 20 nëntorit.

Ndërkohë, nënsekretari britanik i Shtetit për Sigurinë Energjetike dhe Objektivin Net-Zero, Martin McCluskey, ka deklaruar se Londra po negocion për të kuptuar propozimin e BE-së, por deri më tani nuk është rënë dakord për asnjë shumë apo kontribut financiar.