Frekuentimi i tyre edhe gjatë vjeshtës i jep zonës një tjetër dimension turistik, pasi vizitorët mund të përjetojnë ndërthurjen e ujërave të ngrohta termale me freskinë e ajrit dhe atmosferën karakteristike të stinës së vjeshtës.
Përveç burimeve termale, vizitorët kanë mundësi të eksplorojnë edhe Urën historike të Kadiut, një monument i trashëgimisë kulturore, si dhe kanionin e Langaricës, i njohur për bukuritë natyrore, formacionet shkëmbore dhe peizazhet mbresëlënëse.
Burimet termale të Bënjës njihen për përbërjen e tyre minerale dhe përdorimin tradicional për relaksim. Ato janë një nga pasuritë natyrore që e kanë vendosur Përmetin në hartën e turizmit natyror dhe të mirëqenies.
Të frekuentuara në çdo stinë, ujërat termale të Bënjës dëshmojnë potencialin e kësaj zone për zhvillimin e turizmit përtej muajve të sezonit veror, duke e kthyer Përmetin në një destinacion që ofron përvoja natyrore gjatë gjithë vitit.
Ujërat Termale të Bënjës në Përmet po i nënshtrohen një procesi të gjerë rikualifikimi, me synim përmirësimin e infrastrukturës, sistemimin e hapësirave dhe krijimin e kushteve më të mira për vizitorët vendas dhe të huaj.
Projekti, i financuar nga qeveria shqiptare përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, synon ta zhvillojë këtë pasuri natyrore në një destinacion turistik me standarde bashkëkohore, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrin mjedisor dhe karakteristikat që e bëjnë Bënjën një prej atraksioneve më të veçanta të jugut të vendit.
Punimet ende nuk kanë përfunduar për kthimin e tyre në një zonë të vërtetë rekreative për të gjitha moshat





