Sipas mediave italiane, macja e një familjeje nisi të mjaullinte në mënyrë të pazakontë, duke tërhequr vëmendjen e pronarëve. Kjo bëri që të zbulohej një përqendrim i rrezikshëm i monoksidit të karbonit, i shkaktuar nga një defekt në kaldajë.
Ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës, zjarrfikësve dhe personelit shëndetësor bëri të mundur shmangien e një tragjedie që mund të kishte prekur edhe familjen fqinje në katin e sipërm, ku jetonin dy të rritur dhe dy fëmijë, përkatësisht gjashtë muajsh dhe tre vjeç.
Autoritetet shëndetësore vendore vlerësuan rolin e pazakontë të maces, e cila me sjelljen e saj ndihmoi në zbulimin e hershëm të rrezikut.
Monoksidi i karbonit konsiderohet një “vrasës i heshtur”, pasi është gaz pa ngjyrë dhe pa erë, që mund të shkaktojë helmime të rënda dhe fatale, veçanërisht nga pajisjet ngrohëse me defekt.





