Përkundër faktit se në vazhdimësi ishte diskutuar mundësia e ndërtimit të një stadiumi kombëtar, i cili do të shërbente për ceremoninë hapëse dhe mbyllëse të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duket se tashmë një nga alternativat kryesore është zgjerimi dhe renovimi i stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka thënë për KosovaPress se zgjerimi i stadiumit “Fadil Vokrri” është një mundësi që duhet shqyrtuar, por sipas tij, ndërtimi i një stadiumi të ri mund të rezultojë më i lirë sesa renovimi i të vjetrit.
Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Sporteve Universitare, Musa Selimi beson se stadiumi “Fadil Vokrri” mund të bëhet gati për ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare përmes një projekti profesional, duke shtuar ulëse në tribunat lindore, veriore dhe jugore.
Sipas tij, një periudhë dyvjeçare do të ishte e mjaftueshme për të përmbushur kriteret e nevojshme, ndërsa organizimi i ceremonisë në qendër të Prishtinës do të sillte përfitime edhe për ekonominë dhe gastronominë.
Përfundimisht, zgjerimi dhe modernizimi i stadiumit “Fadil Vokrri” po shihet gjithnjë e më shumë si një alternativë për organizimin e ceremonive të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, megjithëse mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar dhe nëse projekti mund të realizohet brenda afateve të parapara.





