Programi “Trashëgimia Kulturore dhe Muzetë” për vitin 2027 parashikon vijimin e investimeve për restaurimin dhe rijetësimin e kullave tradicionale në veri të vendit, forcimin e strukturave të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe mbështetjen e programeve për promovimin e pasurive kulturore materiale dhe jomateriale.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet kullave tradicionale, të cilat përfaqësojnë një nga elementet më identifikuese të trashëgimisë arkitektonike, historike dhe etnografike të vendit.

Në bashkëpunim me GIZ, restaurimi dhe rijetëzimi i tyre synon zgjerimin e ofertës së turizmit kulturor dhe malor, nxitjen e sipërmarrjes lokale dhe krijimin e mundësive të reja të zhvillimit për komunitetet, veçanërisht për të rinjtë.

Për vitin 2027, programi parashikon gjithashtu mbështetjen e aktiviteteve dhe projekteve të tjera kulturore, si “Java e Muzeve”, pjesëmarrja në Bienalen e Arkitekturës në Venecia dhe në Panairin Mesdhetar të Turizmit Arkeologjik në Paestum të Italisë, si dhe mbështetjen e programeve artizanale dhe të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Përmes këtyre masave, programi synon të ndërthurë investimet në restaurim me forcimin e kapaciteteve institucionale, promovimin e trashëgimisë dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e turizmit kulturor në vend.