BQK ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin e Kosovës për përfshirje në hapësirën gjeografike të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (Single Euro Payments Area – SEPA), duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit financiar dhe ekonomik të vendit me Bashkimin Evropian.
Dorëzimi i aplikimit përfaqëson një etapë të rëndësishme të reformave të ndërmarra nga BQK-ja në kuadër të mandatit të saj dhe të Planit Strategjik 2024-2028, ku përgatitja për anëtarësim në SEPA është përcaktuar si një nga objektivat institucionale. Ky zhvillim është rezultat i punës së vazhdueshme gjatë viteve të fundit për përafrimin e kornizës ligjore dhe rregullative me standardet e Bashkimit Evropian, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Përfshirja e Kosovës në SEPA do të krijonte mundësi për realizimin e pagesave ndërkufitare në euro në mënyrë më efikase, me kosto më të ulët dhe kushte më të favorshme për qytetarët dhe bizneset. Ky proces ka rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës, duke marrë parasysh lidhjet e saj ekonomike dhe financiare me vendet evropiane, vëllimin e remitancave dhe nevojën për lehtësimin e transaksioneve ndërkufitare.





