Sipas medias amerikane “Travel+Leisure”, që rendit vendet ku qytetarët amerikanë mund të qëndrojnë për gjashtë muaj ose më gjatë, Shqipëria u mundëson atyre të qëndrojnë deri në një vit pa pasur nevojë për vizë.
Kjo e bën vendin një mundësi për vizita dhe qëndrime afatgjata, duke u dhënë vizitorëve amerikanë më shumë kohë për të njohur destinacionet dhe ofertën turistike shqiptare.
Ndonjëherë, disa ditë, një javë apo edhe një muaj në një destinacion të ri, nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur pritshmëritë e vizitorëve.
Megjithatë, jo të gjitha vendet lejojnë që vizitorët të qëndrojnë për periudha të gjata.
Disa prej tyre ofrojnë mundësinë e qëndrimit të zgjatur pa kërkuar vizë, ndërsa të tjera e bëjnë relativisht të lehtë qëndrimin për një periudhë më të gjatë, nëpërmjet pajisjes me vizën përkatëse.
Sipas David Lincoln, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Lincoln Global Partners”, dallimi ndërmjet vendeve që lejojnë hyrjen pa vizë dhe atyre që kërkojnë pajisjen me vizë është i rëndësishëm.
Ai e përkufizon vizën si një leje për të hyrë në një vend për një qëllim dhe për një periudhë të caktuar.
Ndërkohë, leja e qëndrimit i jep një personi të drejtën për të jetuar në një vend përkohësisht ose për një kohë të pacaktuar, ndërsa shtetësia përfaqëson anëtarësimin e plotë ligjor në një shtet.
Edhe procedurat dhe dokumentacioni i nevojshëm ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin.
Në përgjithësi, aplikimi për një vizë qëndrimi afatgjatë, duhet të kryhet përpara largimit nga vendi i origjinës, ndërsa procedurat për pajisjen me leje qëndrimi ndryshojnë në varësi të shtetit përkatës.
Këto dallime ndikojnë jo vetëm në kohëzgjatjen e qëndrimit, por edhe në të drejtat që gëzon një person gjatë periudhës së qëndrimit në një vend të huaj.
Kështu, një vizitor mund të mos ketë të njëjtat të drejta për të punuar apo për t’u vendosur përgjithmonë në një vend, si një person që disponon leje qëndrimi.
Gjithashtu, kalimi i një pjese të konsiderueshme të vitit jashtë vendit, mund të sjellë detyrime tatimore, pavarësisht statusit të emigracionit.
Për këtë arsye, pavarësisht mënyrës së zgjedhur për të qëndruar në një vend të huaj, është e rëndësishme që rregullat përkatëse, të verifikohen përpara rezervimit të udhëtimit.
Në këtë kontekst, më poshtë renditen disa nga vendet ku qytetarët amerikanë, mund të qëndrojnë për gjashtë muaj ose më gjatë, nëpërmjet procedurave relativisht të thjeshta të hyrjes dhe qëndrimit.





