Edhe pse të përfshirë në programin “100 fshatrat” shumë pak vizitorë kanë qenë në rrugicat e gurta të fshatrave Arrëz dhe Sinicë në Devollin e Sipërm. Për të shkuar atje është e thjeshtë, si me rrugë automobilistike nga Bilishti drejt Mirasit ashtu edhe në shtegun që nis nga Dardha e Korçës, zbret në Arrëz dhe Sinicë për të përfunduar sërish në fshatin turistik më të njohur të zonës.

Arrëza ka qenë një nga fshatrat më të mëdhenj të zonës, me gati 1200 shtëpi në kohën e Perandorisë Osmane. Banorët e parë janë ngulitur aty në lartësinë 1030 metra mbi nivelin e detit për t’i ikur hasmit, dhe ishin të gjithë të krishterë.

Tashmë, fshati ka popullsi të përzjerë ndërsa xhamia e re u ndërtua me kontributin e banorëve për të nderuar historinë dhe traditat.

Fshati shtrihet rrëzë lumit Devoll, i cili buron nga mali i Gramozit dhe pozicionimi i tij e ekspozon pothuajse gjithë ditën në diell çka e lehtëson të ftohtin pasi zona është e thellë dhe dimri i ashpër.

Emri i tij siç tregojnë banorët vjen nga ata që e themeluan mes asgjësë në një arë të vogël mes pyllit (Arrëz-arë e vogël).

Ajri i pastër mban erën e druve që digjen në sobë, këtu dimri vjen shpejt. Ecim përmes fshatit në rrugicën e shtruar me gurë, e restauruar si pjesë e programit “100 Fshatrat”. Përfitim tjetër nga ky program, siç thonë banorët, është asfaltimi i rrugës që vjen nga Bilishti.

Sinica shquhet për shtëpitë e saj të vjetra të ndërtuara me mjeshtëri të lartë vendasit, që herë-herë ngjajnë edhe me kulla të fortifikuara me dritare të vogla dhe harqe guri mbi porta.

Kisha e Shën Kollit (Nikollës) ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonë thuhet se mban afreske e ikona me vlerë të lartë artistike por që nuk mundëm t’i shohim. Historia thotë se kisha është gati 200-vjeçare, ndër më të hershmet e zonës juglindore të vendit. Restaurimi i saj është kryer me kontributin e emigrantëve të Amerikës.