Çmimet e ushqimeve në Evropë kanë shënuar rritje të moderuar gjatë këtij viti, por produktet e freskëta po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta, duke rënduar buxhetet familjare, sipas “Euronews”.
Sipas të dhënave të fundit të “Eurostat”, në tetor çmimet e ushqimeve të papërpunuara në Eurozonë u rritën me 4,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, nga 2,7% që ishte rritja në gusht.
Në Francë, produktet e freskëta u shtrenjtuan me 8% në bazë vjetore, ndërsa në Itali rritja e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara arriti në 7,5% gjatë tetorit, nga 5,5% në shtator.
Italia është ndër rastet më të dukshme të kësaj tendence. Situata u rëndua edhe nga bllokimi i rrugëve dhe porteve në jug të vendit për rreth dy javë, për shkak të protestave të shoferëve të kamionëve kundër kostos së lartë të naftës.
Ndërprerjet e furnizimeve shkaktuan boshatisjen e rafteve në disa dyqane në rajonet si, Kampania, Pulia dhe Kalabria, ku mungesat e produkteve përfshinë, mishin, qumështin e freskët, frutat dhe ujin e ambalazhuar.





