Sipas IKShPK-së, mbi 95% e rasteve të konfirmuara u përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
Instituti ka paralajmëruar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.
Për këtë arsye, IKShPK ka kërkuar rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim, duke theksuar se imunizimi në kohë është masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj.
Krahas vaksinimit sipas kalendarit të rregullt, institucionet shëndetësore po vazhdojnë edhe vaksinimin plotësues për fëmijët që nuk janë vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara.
Gjatë vitit 2026, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4006 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.
IKShPK u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast të mungesës së ndonjë doze, të kontaktojnë ekipet përkatëse shëndetësore.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur për shkak të vaksinimit të vonuar ose të papërfunduar”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Instituti ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve është thelbësor për ndërprerjen e përhapjes së fruthit.
“Vaksinimi është e drejtë dhe përgjegjësi e përbashkët. Mbrojtja e çdo fëmije fillon me vaksinimin në kohë”, ka përfunduar IKShPK.





