Pianisti Amir Xhakoviq dhe dirigjenti Ermir Krantja do të sjellin premierën botërore të veprës “Concerto Trinitas I, II, III”, koncert për piano dhe orkestër, me kompozim të Vasil S. Toles. Kjo vepër sjell në vëmendje krijimtarinë bashkëkohore shqiptare, duke u bërë pjesë e një programi që ndërthur traditën e repertorit klasik me muzikën e re.
Programi do të vijojë me uverturën e operës “Le nozze di Figaro” të Wolfgang Amadeus Mozart dhe uverturë-fantazinë “Romeo & Juliet” të Pyotr Ilyich Tchaikovsky, dy vepra të njohura të repertorit klasik botëror që do të plotësojnë mozaikun muzikor të mbrëmjes.
Përmes këtij koncerti, TKOBAP sjell për publikun një udhëtim artistik që bashkon elegancën e muzikës klasike me emocionin e interpretimit simfonik dhe promovon njëkohësisht krijimtarinë bashkëkohore shqiptare në skenën koncertore.





