Komisioni Evropian ka miratuar planin e masave ndaj platformës kineze të tregtisë elektronike Temu, që synon të përmirësojë kontrollet dhe të frenojë shitjen e produkteve të paligjshme në internet.

Kompania ka katër muaj kohë për të zbatuar masat e parashikuara, të cilat përfshijnë identifikimin më të mirë të rreziqeve, kontrollin e produkteve të ofruara nga shitësit dhe shqyrtimin e mënyrës se si algoritmet e platformës u rekomandojnë produkte përdoruesve.

Vendimi vjen pas shqetësimeve të Komisionit Evropian se Temu nuk kishte vlerësuar siç duhet rreziqet që lidhen me shitjen e produkteve të paligjshme.

Testimet e autoriteteve evropiane kishin evidentuar probleme sigurie te disa karikues dhe lodra për foshnja, përfshirë produkte që nuk përmbushnin standardet e kërkuara.

Sipas rregullave të Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA), platformat e mëdha online duhet të identifikojnë rreziqet, që lidhen me shërbimet e tyre dhe të marrin masa për t’i kufizuar ato.

Këto detyrime synojnë të forcojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të parandalojnë përhapjen e produkteve që mund të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e tyre.

Komisioni Evropian do të monitorojë zbatimin e planit, i cili do t’i nënshtrohet edhe një auditimi të jashtëm dhe të pavarur.

Nëse Temu nuk përmbush detyrimet e përcaktuara, institucioni mund të ndërmarrë masa të mëtejshme ligjore.

Miratimi i planit nuk do të thotë se të gjitha produktet në platformë janë kontrolluar ose rreziqet janë eliminuar.

Efektiviteti i masave do të vlerësohet gjatë zbatimit të tyre.