Kontrata deri në 20 vjet dhe lehtësimi i procedurave për zhvillimin e akuakulturës në ujërat e brendshme dhe në sipërfaqet tokësore janë ndër ndryshimet kryesore që parashikon projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për akuakulturën”, që është nxjerrë për konsultim publik.

Sipas relacionit shoqërues, nisma synon të qartësojë kuadrin ligjor për këtë sektor, duke përshtatur procedurat administrative me llojin e veprimtarisë dhe mjedisin ku zhvillohet. Ndryshimet parashikojnë që Zonat e Përcaktuara për Akuakulturë (ZPA) të zbatohen vetëm për aktivitetet në ujërat detare, ndërsa për veprimtaritë në ujërat e brendshme dhe në sipërfaqet tokësore të krijohet një bazë e veçantë ligjore.

Zbatimi i procedurave për miratimin e ZPA-ve për aktivitetet në ujërat e brendshme dhe në tokë është vlerësuar si joproporcional me natyrën e këtyre veprimtarive, të cilat shpesh zhvillohen në sipërfaqe të kufizuara dhe në kushte të kontrolluara prodhimi.

Një tjetër risi është përcaktimi i afatit të kontratave të akuakulturës në 20 vjet, me synimin për të rritur sigurinë juridike dhe ekonomike të investitorëve. Për aktivitetet në sipërfaqe tokësore shtetërore ose vendore, afati i kontratës së akuakulturës do të lidhet me kontratën e përdorimit të pronës, pa tejkaluar 20 vjet.

Projektligji parashikon gjithashtu që investimet dhe veprat e nevojshme për ushtrimin e veprimtarisë të përfundojnë brenda tre vjetëve nga nënshkrimi i kontratës.

Nisma synon të mbështesë edhe zhvillimin e sistemeve të akuaponisë, që ndërthurin kultivimin e organizmave ujorë me prodhimin e bimëve, si dhe format e tjera të kontrolluara dhe të integruara të prodhimit.

Për ushtrimin e veprimtarisë në zonat detare të miratuara, në ujërat e brendshme dhe në sipërfaqet publike tokësore, e drejta do të jepet përmes procedurave të konkurrimit publik, sipas përcaktimeve ligjore. Projektligji rregullon gjithashtu përdorimin e pronave publike, kushtet e kontratave, licencimin dhe procedurat për rinovimin e tyre.

Sipas relacionit, ndryshimet pritet të nxisin investimet, të rrisin kapacitetet prodhuese dhe konkurrueshmërinë e sektorit, si dhe të përmirësojnë shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Projektligji lidhet me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2022–2030 dhe Strategjisë Ndërsektoriale për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Peshkimin 2021–2027. Ai adreson gjithashtu çështje të evidentuara gjatë procesit të shqyrtimit me Komisionin Evropian në kuadër të Kapitullit 13 “Peshkimi”, pa synuar përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian.