rkeologët tregojnë se, përgjatë këtij vëzhgimi u vërejt një material i bollshëm në sipërfaqe, kryesisht fragmente tjegullash dhe qeramike, të cilat vinin duke u intensifikuar në drejtim të majës së kodrës.
Prania e një sasie të madhe tjegullash tregon se kodra dikur ka qenë e zënë nga një vendbanim. Me heqjen e shtresës sipërfaqësore, prej humusi, u evidentua rrëzimi i çatisë së godinës. Arkeologët evidentuan edhe nivelin e ecjes, realizuar me dhé të ngjeshur. Kjo, sipas tyre, tregon se nuk kemi të bëjmë me një monument kulti apo vilë luksoze, por me një banesë rurale.
Pra, bëhet fjalë për një banesë të Antikitetit të Vonë, e cila, sipas të dhënave të mbledhura deri në këtë fazë, datohet nga mesi ose fundi i shekullit VI. Banesa ka një planimetri drejtkëndore, me përmasa 7,5 m x 9 m, me orientim lindje-perëndim dhe hyrjen kryesore nga ana lindore. Muret e kësaj banese rurale kanë qenë të gjera 70-80 cm.
Ndërkohë, arkeologët po bëjnë edhe hartëzimin e sitit arkeologjik, regjistrimin 3D të të dhënave, distancat, lartësitë dhe këndet, përmes pajisjeve digjitale, siç është instrumenti Total Station.
Me rëndësi në arkeologji janë edhe gjetjet e mbetjeve bimore, të cilat studiohen përmes një disipline shkencore si arkeobotanika, e cila ndihmon në rindërtimin e marrëdhënieve të njerëzve të së kaluarës me ushqimin, bujqësinë dhe mjedisin.





