Në bazë të vendimit, shpronësimi do të kryhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa pronarët e pasurive private do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së përcaktuar.

Fondi i përgjithshëm i shpronësimit është përcaktuar në 19 916 795.10 lekë, për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”.

Kjo vlerë do të përballohet nga buxheti i shtetit, nga llogaria “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë, ndërsa shpenzimet procedurale, në masën 50 mijë lekë, do të përballohen nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Shpronësimi nis menjëherë pas botimit të vendimit në “Fletoren Zyrtare” dhe duhet të përfundojë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi.

Pronarët e pasurive të përfshira në listë do të kompensohen pasi të paraqesin dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin. Kjo agjenci do të kryejë edhe procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar.

Vendimi parashikon edhe verifikimin e kufizimeve hipotekare mbi pasuritë në momentin e ekzekutimit të pagesave. Në rast se mbi pasuritë rezulton hipotekë në favor të bankave ose institucioneve financiare jobankare, likuidimi do të kryhet duke respektuar të drejtat e kreditorëve hipotekarë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Pas miratimit të vendimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar duhet të aplikojë menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2. Kjo e fundit, brenda 30 ditëve, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së miratuar të shpronësimit.

Për pasuritë e shpronësuara, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të pezullojë të gjitha transaksionet deri në përfundimin e procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë.